Latifi: Deri erdhën amerikanët, UÇK-ja kështu e mbajti grushtin

12 janar 2022 | 08:05

Analisti Blerim Latifi ka thënë në emisionin Pressing në T7 se bindjet e majta të LPK-së dhe organizatave të tjera kanë qenë gabim. Ai e pranon rolin historik të LPK-së dhe krijimin e UÇK-së, por shton se ushtarët në fillet e kësaj ushtrie përshëndeteshin me grusht sikur enversitët.

“Pa LPK, e cila i ka pasur këto ide të majta, sepse është themeluar me to, ne nuk do të ishim në gjendje të kishim UÇK-në. LPK po të mos ishte e tillë nuk do të ishte e mundur të themelonte UÇK-në. Por derisa kanë ardhur amerikanët, UÇK kështu është përshëndetur”, tha ai.

Këtu disa ish-veprimtarë të LPK-së reaguan ashpër duke i bërë me dije Latifit se ka mundur të ketë vetëm një pakicë e ushtarëve që kanë bërë këso përshëndetje.

“Ndoshta disa njerëz që ishin me bindje të majta”, tha Bilall Sherifi.

Ndërkohë Xhevat Bislimi tha se nuk kishte asnjë bindje komuniste në statuset e LPK-së dhe organizatave që krijuan atë. Ai thotë se ideologjia e vetmja ishte çlirimi i trojeve shqiptare dhe nxitja e Republikës së Shqipërisë në përkrahje të LPK-së.

“Dua t’i them disa gjëra. Po thua organizata Leniniste Marksiste. Merri lexoi statutet e të gjithave. Po të gjesh diçka leniniste apo marksiste këtu më ke. E vetmja ideologji ishte çlirimi i trojeve. Ideologjia ishte shkruar vetëm për të nxitur përkrahjen e shtetit amë. I vetmi shtet shqiptar ka qenë ai. Nëse ka pasur tjetër na trego. LPK ka qenë shkolla më e madhe politike demokratike edhe deri më sot. kurrë më nuk mund të debatosh brenda një subjekti ashtu sikur ne në atë kohë”, tha ai.

“Kurrë nuk mund të gjesh një kryetar partie që kritikohet nga anëtarët si atë kohë”, tha Sherifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zyrtare amerikane tha se anëtarët e NATO-s “qëndrojnë të…