Latifi: Dështimi për hapje të negociatave, grusht dërrmues për aspiratat evropiane
Filozofi Blerim Latifi ka thënë se dështimi i Bashkimit Evropian për t’i hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është një grusht dërrmues për aspiratat evropiane të popujve të këtyre dy shteteve.
Sipas tij, tash e tutje forcat proevropiane, forcat demokratike e liberale në këto shtete, do ta kenë përherë e më vështirë në luftën e tyre kundër ndikimit agresiv të ideologjive autoritariste lindore.
Latifi ka thënë se nëse ShBA-ja nuk rikthehet për ta mbajtur Ballkanin brenda sferës perëndimore, atëherë skenarët e errët kanë shumë gjasa të marrin jetë këndej pari.
“Dështimi i Bashkimit Evropian për t’i hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është një grusht dërrmues për aspiratat evropiane të popujve të këtyre dy shteteve. Tash e tutje forcat proevropiane, forcat demokratike e liberale në këto shtete, do ta kenë përherë e më vështirë në luftën e tyre kundër ndikimit agresiv të ideologjive autoritariste lindore. ‘Vija e Teodosit’, e cila, prej shekujsh, e ka ndarë Ballkanin midis Perëndimit dhe Lindjes, është duke u rishfaqur frikshëm. Nëse ShBA-ja nuk rikthehet për ta mbajtur Ballkanin brenda sferës perëndimore, atëherë skenarët e errët kanë shumë gjasa të marrin jetë këndej pari. Në atë rast dy gjëra do të jenë të sigurta: shoqëritë tona do të vuajnë edhe më shumë dhe në fund Bashkimi Evropian do të detyrohet t’i paguajë faturat e këtyre vuajtjeve!”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/