Latifi dhe drejtoresha Sallteku takohen me punonjësit shëndetësorë
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi i shoqëruar nga nënkryetari, Fatmir Iska dhe drejtoresha e Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Sociale, Saranda Sallteku, kanë vizituar punonjësit shëndetësorë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Fahredin Hoti”, ku janë pritur nga drejtori, dr. Ebunit Kryeziu.
Në hapje të takimit drejtori Kryeziu, e ka falënderuar kryetarin Latifi për vizitën dhe mbështetjen e dhënë në ecurinë e punëve në sektorin e shëndetësisë, i cili ndër të tjera ka prezantuar dhe drejtoreshën Saranda Salltekun, me të cilën drejtori ceku që do të jenë do të jenë bashkëpunues gjatë gjithë kohës.
Drejtoresha Sallteku, shprehu mirënjohje për punëtorët shëndetësorë dhe luti që të kryejnë punën e tyre ashtu siç është e përcaktuar me ligje dhe rregullore në fuqi, duke kërkuar që të respektohet orari i punës.
Kryetari Latifi i ka uruar fillimvit të mbarë dhe tejkalim të situatës pandemike, që ka shkaktuar jo pak probleme në dy vitet e fundit për sistemin shëndetësor si dhe për të gjithë qytetarët, të cilët kanë pësuar humbje të mëdha.
“Përmes këtij takimi kërkoj nga ju që të rritni kapacitetet dhe të përmirësoni shërbimet shëndetësore, duke e respektuar në rend të parë orarin e punës si dhe duke e intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional. Do të punojmë pa u ndalur që qytetarët e Rahovecit të marrin shërbimet e duhura shëndetësore në vazhdimësi”, ka thënë kryetari Latifi.