Latifi e Kervani inspektojnë punimet në rrugën e fshatit Zaqisht
Në vazhdën e avancimit të bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe lokal, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka pritur të premten në takim ministrin e Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan, me të cilin ka biseduar mbi idetë dhe mundësitë për realizimin e projekteve mbi situatën e krijuar nga pandemia Covid-19 si dhe për projektet me periudhë kohore afatgjatë që mund të realizohen në mes të këtyre institucioneve.
“Po ashtu, bashkë vizituam punimet të cilat po zhvillohen në kuadër të projektit: ‘Ndërtimi i rrugës në fshatin Zaqisht’, i cili është në bashkëfinancim i Komunës së Rahovecit dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal me vlerë prej 47.813.17 eurosh. Kjo rrugë ul pjerrtësinë e terrenit, ka gjatësi: 360m, gjerësi 6 metra, dy shtresa asfalt, kanali i kullimit të ujërave atmosferik, gjithashtu, parashihet edhe sinjalizimi horizontal dhe vertikal. E falënderova ministrin Kervan për bashkëpunimin dhe përkrahjen e Komunës së Rahovecit në projekte zhvillimore dhe bashkë u pajtuam që bashkëpunimi i mirëfilltë të vazhdojë edhe në të ardhmen!”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.