Latifi ironizon gjuhën e kryeministrit: Unë jam rruga, unë jam e vërteta
Profesori i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Blerim Latifi, ka komentuar deklaratën e kryeministrit në dorëheqje të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me atë se çfarë thotë Kushtetuta e Republikës së Kosovës për formimin e qeverisë së re pas asaj të rënë me mocion mosbesimi.
Latifi ka thënë se me këto deklarata Kurti bën thirrje sikurse ai është rruga e vetme dhe e vërteta e vetme lidhur me situatën aktuale politike në vend.
Në një shkrim në “Facebook”, Latifi është shprehur se deklaratat e Kurtit, i cili, sipas tij, i ka thënë presidentit se ai nuk ka të drejtë ta interpretojë Kushtetutën për sa i përket çështjes së krijimit të qeverisë së re, ndërsa vetë ka bërë një interpretim të thuktë të saj po për të njëjtën çështje.
“Albin Kurti i paska thënë presidentit se ai nuk ka të drejtë ta interpretojë Kushtetutën për sa i përket çështjes së krijimit të qeverisë së re, ndërsa vetë paska bërë një interpretim të thuktë të saj po për të njëjtën çështje. Madje me tonin e një interpretuesi suprem, që nga lartësitë olimpike të autoritetit të tij thërret: ‘Unë jam rruga, unë jam e vërteta!’”, ka shkruar Latifi.
Për deklaratën e Kurtit, i cili e bëri publike në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, ka reaguar edhe juristi Dastid Pallaska, i cili tha se qëllimi i kryeministrit në detyrë është mbajtja e vendit në bllokadë kushtetuese derisa frustrimi popullor t’i mundësojë atij të arsyetojë trazirat që do t’i hapin rrugë vendosjes së diktaturës. E gjithë kjo mbi bazën e propagandës së shfrenuar që rrejshëm po e prezanton atë si viktimë.