Latifi: Jemi larg epilogut të dramës, plani franko-gjerman vetëm hap shtensionimi në mes të Kosovës e Serbisë
Atë që po e përgatisin qendrat perëndimore për Kosovën, më saktësisht Uashingtoni, Blerim Latifi e përkthen si një moment hutie për kosovarët, të cilën e shpreh me një referencë shekspiriane.
“Ne praktikisht ndodhemi në një dilemë të tipit hamletian : T’i besojmë a të mos i besojmë Amerikës për Asociacionin – kjo është çështja!”, ka thënë ai.
Në një version më pak të reduktuar se asociacioni, Latifi përpjekjen e ShBA-së dhe vendeve më të forta të BE-së e sheh si një nismë për ta nxjerrë Kosovën nga gjendja e bllokadës ku është kurthuar me vite.
Por, profesori i filozofisë është dyshues rreth asaj që mund të arrihet me propozimin evropian. Sipas tij, plani vetëm mund të shtensionojë raportet Kosovë-Serbi pa i dhënë fund dramës mes dy vendeve.
Përveç shovenizmit nga Beogradi që do të vazhdojë derisa Kosova nuk do të njihet nga Serbia, e ndihmuar nga Rusia, Latifi vlerëson se sherr të madh Kosovës i bëjnë edhe Spanja, Rumania, Sllovakia Qipro dhe Greqia.
“Qëndrimi i refuzimit agresiv që Serbia ia bën pavarësisë së Kosovës ushqehet më shumë nga pozicioni i këtyre pesë vendeve sesa nga pozicioni i Rusisë”, ka thënë ai.
Në këto rrethana pashmangshëm një lojë e rëndësishme do të luhet edhe në taborin e kosovarëve, klasës politike, që sipas Latifit, tash do të shihet nëse është e dobishme apo e dëmshme për vendin.
“Derisa shtyhen me bërryla për pushtet, tash duhet të japin edhe zgjidhje për dilemat e mëdha politike. Nëse zgjidhjet e tyre janë të dobishme për vendin, do ta meritojnë respektin tonë. Nëse zgjidhjet e tyre provohen të dëmshme, atëherë sigurisht do të përfundojnë në atë që Lenini e quan “koshi i plehrave të historisë”, ka thënë ai në një intervistë për “Express”.
Ndërsa për ata që e kanë në duar vendimmarrjen Latifi është shumë i hapur dhe direkt.
“Koordinimi me mbështetësit tanë është parim të cilin duhet ta kemi gjithmonë parasysh. Këtë janë munduar ta etiketojnë si servilitet, por nuk është hiç i tillë. Të tregohesh sovranist ndaj atij që ta garanton sovranitetin- kjo është thjesht formë e budallallëkut”, ka thënë Latifi
Intervistën e plotë mund ta lexoni: KËTU