Latifi kërkon që të rritet cilësia e shërbimeve shëndetësore në Rahovec
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka mbajtur takimin e parë për vitin 2024 me punëtorët shëndetësorë.
Ai ka bërë me dije se me punëtorët shëndetësorë, diskutuan për gjendjen e përgjithshme të shëndetësisë në komunën e Rahovecit, ekipin mobil të kujdesit shtëpiak, shërbimet pediatrike, shërbimet gjinekologjike, stomatologjike, laboratorët, gjendjen aktuale të furnizimeve me barna esenciale, reagensë, materiale e pajisje të reja shëndetësore dhe format e tjera të përkrahjes së QKMF-së, rrjetit të QMF-ve dhe AMF-ve.
“Po ashtu diskutuam për mundësitë e rritjes në vazhdimësi të cilësisë së shërbimeve dhe diskutuam për investimet kapitale që po bëhen dhe ato që planifikojmë t‘i bëjmë në sektorin e shëndetësisë për vitin 2024. Mirënjohës dhe falënderues për shërbimin dhe angazhimin e tyre për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Rahovecit! Së bashku, jemi në përpjekje të vazhdueshme për shtimin e shërbimeve të tjera dhe për rritjen e vazhdueshme të cilësisë së tyre. Shëndetësia është një prej sektorëve kryesorë në fokusin tonë”, ka thënë Latifi.