Latifi: Kurti do të duhej të ishte i fundit që ulet për të shkruar për Revolucionin Francez
Profesori i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës (UP), Blerim Latifi, ka thënë të enjten se kryeministri i Kosovës Albin Kurti “do të duhej të ishte i fundit që ulet për të shkruar për Revolucionin Francez”.
Sipas Latifi, Kurti në tavolinë ka shumë probleme të mëdha e të vogla shoqërore me të cilat duhet të merret.
“Konsideroj se në gjendjen në të cilën jemi, kryeministri ynë do duhej të ishte i fundit në këtë vend që duhet të ketë kohë për t’u ulur e shkruar për Revolucionin Francez”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Po ashtu, Latifi ka thënë se “do të ishte naive” nëse mendohet se me këtë formë do ngriten raportet Kosovë-Francë.
“Nëse veç është menduar kjo, atëherë më duhet të them se është përpjekje krejtësisht naive, sepse influenca politike nuk arrihet përmes këtyre formave të thurjes së elozheve të tilla historiko-filozofike”, ka shkruar Latifi.
Latifi gjithashtu ka shtuar se “Kurti duhet t’i lë pasionet intelektuale”, për t’iu rikthyer punëve
“Rëndësi ka që kryeministri të lërë pas dere pasionet e tij intelektuale dhe t’u rikthehet punëve për të cilat është zgjedhur. Kuptohet nëse e ka ndërmend të merret me to”, ka shkruar Latifi.