Latifi nderon dëshmorët e rënë në Bishtazhin, Goden dhe Rogovë të Hasit

29 janar 2025 | 14:57

Kryetari i Rahovecit, Smjal Latifi, së bashku me familjarë të dëshmorëve, bashkëpunëtorë, bashkëluftëtarë, miq dhe qytetarë, në 26-vjetorin e përjetësimit, nderoi kujtimin për dëshmorët e kombit, të rënë në Bishtazhin, Goden dhe Rogovë të Hasit.

“Epokën e luftës për liri heronjtë e vulosën me gjak, sepse liria asnjëherë nuk vjen si dhuratë nga dikush, por ajo fitohet me sakrifica të mëdha. Prandaj, nderimi e respekti për ata që qëndruan dhe u flijuan, është dhe do të jetë i përjetshëm. Kur rrëfejmë për heroizmin e tyre, kujtojmë betejat tek Ura e Terzive afër Bishtazhinit, Gradishin, Godenin dhe Rogovën e Hasit. Me dhimbje e krenari, sot e përjetë, kujtojmë emrat: Agron Rama, Agim Zeneli, Sejdi Rama, Agush Gjocaj, Bahtiar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gaspër Karaqi, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Prend Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sahit Krasniqi, Valon Gashi dhe Vesel Avdyli”, ka theksuar Latifi.

Ai ka shtuar se më 29 janar, në përpjekje për të strehuar e shpëtuar luftëtarët dhe të plagosurit, nga forcat speciale serbe u vranë Rrustem Morina me djemtë Selmanin, Muhametin e Nusretin, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala dhe Rifat Shala nga Rogova.

“Qoftë i paharruar 27, 28 dhe 29 janari i vitit 1999! Lavdi dhe nderime për jetë e mot gjakut të derdhur për liri!”, ka thënë Latifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka njoftuar se, nga…