Latifi: Përçarja e LDK-së po ia mundëson LV-së suksesin e PDK-së të vitit 2007
Profesori universitar, Blerim Latifi, ka vlerësuar se përçarja e LDK-së është duke ia mundësuar Lëvizjes Vetëvendosje suksesin të cilin e kishte PDK-ja në vitin 2007.
Për dallim prej PDK-së dhe LV-së, Latifi ka thënë se që nga vdekja e Ibrahim Rugovës, LDK-ja nuk ka arritur ta krijonte një lider atëror.
“Përçarja e krahut të luftës në vitin 2000, ia mundësoj LDK-së të marrë pushtetin dhe ta mbajë shtatë vjet atë. Përçarja e LDK-së në vitin 2007, ia mundësoj PDK-së të bëhet partia e parë në Kosovë dhe ta udhëheq vendin për shtatë vjet me radhë. Përçarja e dytë e LDK-së po ia mundëson tash Vetëvendosjes suksesin e PDK-së të vitit 2007. Pse LDK-së po i kushtojnë kaq shumë përçarjet e brendshme? Sepse pas Rugovës ajo nuk arriti asnjëherë të krijonte një lider atëror të partisë. PDK-ja dhe LV-ja i shpëtuan fatalitetit të përçarjes sepse liderët e tyre e kishin këtë lloj autoriteti atëror. Partitë politike në Kosovë ende funksionojnë me logjikën e vëllazërive fisnore, të cilat, sapo humbin babën, ndahen”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.