Latifi përkujton veprimtarin e çështjes kombëtare Mehmet Morina

05 janar 2020 | 15:23

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare nga fshati Ratkoc, Mehmet Hajdar Morina, në njëvjetorin e vdekjes së tij.

Përpos Latifit dhe familjarëve të veprimtarit Morina kanë qenë të pranishëm edhe ish-bashkatdhetarët, ushtarët e invalidëve të luftës të UÇK-së.

Me këtë rast, Latifi ka thënë se angazhimi i veprimtarit Morina nuk ka qenë i rastësishëm për çlirimin e Kosovës. “Historia nuk mban mend një popull të robëruar që është çliruar pa angazhimin e potencialeve të veta humane, materiale, teknike e financiare, prandaj edhe populli shqiptar nuk bën ndonjë përjashtim. Një nga këta ishte edhe Mehmet Hajdar Morina, i cili pikërisht në janarin e 2019-tës, më 10 janar u nda nga ne. Angazhimi personal i bacës Mehmet nuk është i rastësishëm. Ai dhe vëllezërit e tij kishin dëgjuar shumë rrëfime për dhunën dhe egërsinë e pushtuesve serb dhe asnjëherë nuk e kishin pranuar si të mirëqenë këtë gjë. Kishin punuar me përkushtim që gjendja e popullit shqiptar të ndryshojë dhe ne të fitojmë lirinë. Format e kësaj qëndrese ishin të ndryshme dhe nuk pushuan asnjëherë”, ka thënë Latifi.

Ai ka shtuar se Mehmet Morina në rrugëtimin për liri nuk ka qenë i vetëm.

“Natyrisht se në këtë rrugëtim ata nuk ishin vetëm. Veprimtarët e çështjes kombëtare u bënë bashkë në Perëndim dhe ndihmuan në mbajtjen gjallë të frymës së kundërshtimit. Takimi me vëllezërit Gërvalla, Kadri Zekën dhe veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare në diasporë, ndikuan që baca Mehmet me vëllain Isanë të vihen në radhët e atyre që do të pozicionohen fuqishëm në rrugën e nderit e të krenarisë. Kur nisi lufta e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës, u bashkuan mendjet dhe zemrat e shqiptarëve anekënd botës dhe u bënë bashkë në një front të përbashkët të luftës. Bashkëvendësit tanë në Zvicër themeluan shoqatën humanitare ‘Ratkoci’, duke mbledhur mjete financiare e materiale në shërbim të luftës për liri. Njëri ndër organizatorët e kësaj organizate ishte edhe Mehmet Morina”, ka deklaruar Latifi, duke shpalosur detaje nga familja Morina.

“Mirënjohja për baballarët dhe vëllezërit tanë në botën perëndimore do të jetë e lartë. Madje edhe i ati i bacës Mehmet, plaku haxhi Hajdari e nxori pushkën e vjetër dhe ia krisi më 12 maj 1998. Edhe djemtë e bacës Mehmet Kadriu e Dauti ishin ndër të parët që u vunë në rreshtat e parë të çlirimtarëve, si veprimtarë ilegalë e si luftëtarë të UÇK-së. Kjo nënkupton se në atë familje mbizotëronte një frymë lirie, që ishte kultivuar brez pas brezi”, ka thënë ai.

Më tutje, ai ka thënë se i mbetet gjeneratave të reja t’i nderojnë dhe vlerësojnë të gjithë ata që kanë kontribuuar për lirinë e Kosovës. “Ndër angazhimet tona mbetet edhe nderimi që ju bëjmë atyre që me mund, djersë e gjak i kontribuuan ardhjes së lirisë, respektivisht bacës tonë Mehmet Hajdar Morina dhe të gjithë atyre që ishin në krahun e duhur të historisë”, është shprehur Latifi.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Ferizajt ka bërë me dije se ekonomia ferizajase…