Latifi pret në takim dy nga 13 të mbijetuarit e masakrës së 31 marsit në Pastasel
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka pritur sot në takim dy nga trembëdhjetë të mbijetuarit e Masakrës së 31 marsit në Pastasel, Tahir Krasniqin dhe Beqir Krasniqin.
“Atë ditë kur forcat barbare serbe ekzekutuan dhe masakruan 106 qytetarë shqiptarë të moshave të ndryshme e të të dy gjinive, këtyre dy burrave vetëm një fije e hollë u ndante jetën nga vdekja, vdekje të cilën e panë me sy, por, për fatin e tyre të mirë shpëtuan për tu bërë rrëfimtarë dhe dëshmitarë të gjallë të atij tmerri”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se Tahir Krasniqi dhe Beqir Krasniqi dëshmuan kudo për masakrën e 31 marsit. “Dëshmuan edhe në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish Jugosllavi në Hagë, duke rrëfyer tmerret dhe krimet që ata panë me sytë e tyre, për të vënë dritë mbi gjenocidin shtetëror serb nën udhëheqjen e diktatorit dhe kriminelit Sllobodan Millosheviq, të kryer mbi popullatën shqiptare, kudo”, ka thënë Latifi.
Postimi i plotë i tij:
Sot, prita në zyrën time dy nga trembëdhjetë të mbijetuarit e Masakrës së 31 marsit në Pastasel, Tahir Krasniqin dhe Beqir Krasniqin. Atë ditë kur forcat barbare serbe ekzekutuan dhe masakruan 106 qytetarë shqiptarë të moshave të ndryshme e të të dy gjinive, këtyre dy burrave vetëm një fije e hollë u ndante jetën nga vdekja, vdekje të cilën e panë me sy, por, për fatin e tyre të mirë shpëtuan për tu bërë rrëfimtarë dhe dëshmitarë të gjallë të atij tmerri.
Tahir Krasniqi dhe Beqir Krasniqi dëshmuan kudo për Masakrën e 31 marsit, dëshmuan edhe në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish Jugosllavi në Hagë, duke rrëfyer tmerret dhe krimet që ata panë me sytë e tyre, për të vënë dritë mbi gjenocidin shtetëror serb nën udhëheqjen e diktatorit dhe kriminelit Sllobodan Millosheviq, të kryer mbi popullatën shqiptare, kudo.
Ndonëse mes shumë vuajtjesh dhe dhimbjesh këta me forcën e tyre na treguan që jeta e re vazhdon edhe të ngrihesh mes vdekjesh nuk është e lehtë, por, nuk është as e pamundur.
Me përkushtimin tim më të madh si kryetar komune, sot, në shenjë respekti për gjithë atë çka këta përjetuan, u ndava mirënjohje me motivacion: “Për mundin, sakrificën dhe dëshmitë e luftës paraqitur edhe para Tribunalit Ndërkombëtar të Krimeve të Luftës në Hagë, për zbardhjen e krimeve serbe”.
U uroj shëndet të plotë dhe jetë të gjatë, bacës Beqir dhe bacës Tahir, bashkë me familjet e tyre!