Latifi: Rënia e sakrifica e Adem Jasharit i ngriti në këmbë gjithë shqiptarët
Profesori universitar Blerim Latifi ka përkujtuar sot masakrën e Prekazit, duke thënë se në këtë ditë ishin bërë dy llogari që do t’i jepnin drejtim historisë.
Latifi thotë se llogaritë ishin njëra e Sllobodan Millosheviqit dhe tjetra e heroit Adem Jasharit.
“Në ditën e 5 marsit 1998, në Prekaz, ishin bërë dy llogari, të cilat, me fatalitetin e tyre, do t’i jepnin drejtim historisë: njëra e Millosheviqit dhe tjetra e Adem Jasharit. Llogaria e Millosheviqit ishte ajo që e bën secili tiran: vrasja e Adem Jasharit dhe shfarosja e familjes së tij do t’i tmerronte shqiptarët dhe, nga tmerri, ata do të gjunjëzoheshin sërish e do hiqnin dorë nga rezistenca dhe ëndrra për liri”, ka shkruar Latifi në Facebook.
Ai shton se “Llogaria e Adem Jasharit ishte tjetër: rezistenca, rënia e sakrifica e tij do t’i ngrinte në këmbë gjithë shqiptarët dhe liria do të vinte. Dhe historia i dha të drejtë Adem Jasharit: Martiri triumfoi mbi tiranin; jeta mbi vdekjen; liria mbi nënshtrimin; Kosova mbi Serbinë”.