Latifi: Shërbimet inteligjente serbe po investojnë në bosnjëzimin e Kosovës
Profesori universitar, Blerim Latifi, ka thënë se qëllimi i Serbisë është bosnjëzimi i Kosovës.
Sipas tij, shtetit serb është duke investuar në këtë synim.
“Qëllimi i Serbisë nuk është thjesht Asociacioni i komunave serbe. Është qëllim më ambicioz. Është qëllimi i bosnjëzimit të Kosovës. Problemi ynë është se këtë projekt ne po e kuptojmë veç në terma politiko-administrativ, e nuk po e shohim dot dimensionin kulturor të tij. Serbia po investon shumë në bosnjëzimin kulturor të Kosovës. Ndërtimi i qindra xhamive vababiste në qendrat dhe hyrje-daljet e qyteteve e fshatrave të Kosovës është në funksion të këtij qëllimi: të duken shqiptarët jo si një komunitet sekular dhe me identitet kombëtar evropian, por si një komunitet thellësisht fetar, me orientime identitare lindore, siç janë myslimanët e Bosnjës. Kur të arrihet bosnjëzimi kulturor i Kosovës, atëherë bosnjëzimi politik i saj bëhet pothuajse i pashmangshëm”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se këtë operacion po e drejtojnë shërbimet e inteligjencës serbe.
“Natyrisht krejt ky operacion, ky inxhiniering i madh, është duke u drejtuar nga shërbimet e inteligjencës serbe. Intelektualët tanë heshtin, sepse janë frikacakë, disa janë të blerë e shumë të tjerë nuk janë në gjendje të kuptojnë se çfarë po ndodhë. Për politikanët nuk ke se çfarë të thuash, veç faktit se atyre u intereson vetëm pushteti dhe votat, për të cilat janë në gjendje të bashkëpunojnë me secilin që ua ofron ato, pavarësisht se kush është ai dhe për çka angazhohet.”, ka shkruar Latifi.