Latifi: Shumë gjatë është punuar në këtë vend për të mbërritur në ditën kur ne e urrejmë shpëtimtaren tonë, Amerikën
Profesori universitar, Blerim Latifi, ka komentuar sharjet dhe ofendimet drejtuar Donald Trump Jr., djalit të presidentit Donald Trump, nga ata që besohet se janë mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje.
Latifi ka deklaruar se gjatë është punuar në Kosovë që të arrijë dita “kur do ta pështyjmë në fytyrë Amerikën”.
“Shumë gjatë është punu në kët’ vend që me mbrri në ditën kur do ta pshtyjmë në fytyrë Amerikën. Mjafton të shohësh lemërinë e mbrëmshme të sharjeve drejtuar djalit të presidentit Trump”, ka shkruar Latifi në “Facebook”.
Postimi i plotë i Latifit:
Shumë gjatë është punu në kët’ vend që me mbrri në ditën kur do ta pshtyjmë në fytyrë Amerikën. Mjafton të shohësh lemërinë e mbrëmshme të sharjeve drejtuar djalit të presidentit Trump.
Shumë gjatë është punë në kët’ vend për të mbrri në ditën kur ne e urrejmë shpëtimtarin tonë nga gjenocidi për shkak të politikës së tij në Lindje të Mesme.
Prandaj, kam frikë se e keqja ma e madhe ende nuk ka ardhur: dita kur flamujt e shpëtimtarit tonë do të digjen shesheve tona, njësoj si në Ramallah e Tehran.
Ne jemi mësu me i fajësu të tjerët për fatkeqësitë dhe dështimet tona historike, por kjo është veç gjysma e të vërtetës. Gjysma tjetër është se këto fatkeqësi e dështime shpesh kanë ardhur nga çmenduritë tona të brendshme, nga budallaku ynë kronik.
Ne mund ta mbrojmë një njeri nga agresioni i një njeriu tjetër, por kur ai do që të kryej vetëvrasje,.e kemi pothuajse të pamundur ta shpëtojmë.
E kjo vlen edhe për shtetet dhe kombet.