Latifi: Sulmet kundër Vjosa Osmanit për fizikun e saj, fashiste
Profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Blerim Latifi, ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut për ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Latifi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Vjosa Osmani nuk e ka bindur asnjëherë politikisht dhe se e ka kritikuar ashpër e publikisht disa herë.
Megjithatë, Latifi ka theksuar se sulmet që po i bëhen për fizikun e saj nuk janë aspak normale.
“Është logjikë fashiste ta gjykosh politikisht dikë nisur nga tiparet e fizikut të tij. Sot në Kosovë ka shumë gra në politikë që janë viktima të kësaj logjike. Politika është punë e mendjes, e jo e peshës apo kapacitetit fizik. Kujtoni Wolfgang Schäuble-n, politikanin e famshëm gjerman, i cili tash e 30 vjet është i paralizuar në këmbë dhe lëvizë me karrocë invalidësh, por kjo nuk i ka penguar gjermanët që t’i besojnë drejtimin e ekonomisë gjermane dhe shumë institucioneve tjera, përfshirë edhe Bundestagun”, ka shkruar Latifi.