Latifi: Ta ngrisim nivelin e kirurgjisë si shkencë, art dhe profesion
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës (KCS) ka publikuar raportin vjetor për vitin 2022. Në këtë dokument janë paraqitur angazhimet, aktivitetet, dhe rezultatet e punës njëvjeçare të anëtarësisë dhe mekanizmave udhëheqës të KCS-së.
Kryetari i Kolegjit të Kirurgëve, Prof. Dr. Rifat Latifi, ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët, duke e cilësuar një vit mjaft të suksesshëm të Kolegjit, në veçanti të gjithë njerëzit që ndihmuan në arritjen e qëllimeve të organizatës.
“Është detyrë dhe privilegj që të publikojmë këtë raport vjetor, pasi që ndër qëllimet themelore të KCS-së është të bashkojë të gjithë specialistët dhe specializantët e degëve të ndryshme të kirurgjisë, që kanë veprimtari klinike akademike, publike ose private në të gjithë vendin si dhe bashkatdhetarët tanë që punojnë në vende të ndryshme të botës, por që në zemër e kanë Kosovën dhe dëshirojnë të ndihmojnë në ngritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor kirurgjik për të gjithë pacientët në nevojë”, thuhet në adresimin e Prof. Dr. Rifat Latifit, për të gjithë kirurgët, profesionistët shëndetësor, dhe qytetarët e vendit.
Duke e cilësuar Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës si ‘Shtëpi të Kirurgjisë’, Dr. Latifi shtoi se mirëpret edhe mjekët e specializimeve dhe profesioneve tjera, të cilët ndajnë vlerat e njëjta me KCS-në.
“Angazhimi i Udhëheqësisë, i Bordit, Kryesisë dhe të tjerëve në KCS, puna e ngushtë me shumë anëtarë dhe lidershipin e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe me botën shkencore ndërkombëtare, si dhe bashkëpunimi me ekspertët tanë nëpër botë, ka mundësuar që KCS të organizojë Kongresin Klinik vjetor me vlera të larta të dëshmuara ndërkombëtarisht”, thuhet më tutje në adresimin Prof. Dr. Latifit.
Viti që lamë pas, sipas tij, karakterizohet edhe me themelimin e Komiteteve qeverisëse dhe profesionale të KCS-së, që së bashku me të gjithë ekipin profesional të saj angazhohen në përmbushjen e misionit të organizatës.
“Jemi mirënjohës për punën e secilit Komitet dhe vullnetin e mirë të secilit anëtar të KCS-së, për të ngritur nivelin e kirurgjisë si shkencë, art dhe profesion, e mbi të gjitha si një mision human: të arrijmë një kujdes shëndetësor kirurgjik të nivelit bashkëkohor profesional, të sigurtë për pacientin, efektiv dhe efikas si dhe me etikë të lartë profesionale”, thuhet në fund të adresimit të Prof. Dr. Rifat Latifi.