Latifi takon ministren Hajdari, flasin për investimet në Parkun Industrial në Opterushë
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është takuar me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, me të cilën ka biseduar për investimet në Zonën Ekonomike – Parkun Industrial në Opterushë.
“Nga ministrja Hajdari mora konfirmimin se MINT do ta përkrahë me 1, 5 milionë euro këtë projekt të rëndësishëm për biznese, zhvillim ekonomik dhe punësim. Pra, sipas marrëveshjes së mirëkuptimit për bashkëfinancim të nënshkruar me MINT, MINT përkrah me 1, 5 milionë euro, ndërsa komuna e Rahovecit me 300 mijë euro. Ky investim kap vlerën, gjithsej: 1, 8 milionë euro”, ka thënë kryetari Latifi.
Ai ka theksuar se investimet në këtë zonë agro-industriale janë të një rëndësie të veçantë.
“Falënderojmë MINT dhe KIESA si dhe ministren Rozeta Hajdari, për gatishmërinë dhe përkrahjen e dhënë për të plotësuar synimin tonë të kamotshëm. Komuna e Rahovecit është zonë e rëndësishme ekonomike, agrare dhe industriale, e cila sjell përfitime financiare për qytetarët tanë si dhe për buxhetin e Republikës së Kosovës. Prandaj, konsiderojmë se investimet në zonën ekonomike – Parkun Industrial në Opterushë, janë hap i rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë në përgjithësi”, ka thënë Latifi.