Latifi thotë se Serbia ka ndryshuar taktikën në veri
Filozofi dhe analist politik, Blerim Latifi, ka komentuar betimin e kryetarit të Mitrovicë së Veriut, Erden Atiq, i cili betim ka kaluar pa ndonjë problem.
Në lidhje me këtë, Latifi ka thënë se zgjedhjet në veri nuk janë penguar, por vetëm bojkotuar nga serbët.
Në këtë kontekst, Latifi ka vlerësuar se kjo situatë mund të kuptohet si ndryshim i taktikës serbe.
“Zgjedhjet në veri nuk i penguan, por vetëm i bojkotuan. Edhe betimi i kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore paska kaluar pa probleme. Me gjasë Beogradi ka bërë një ndryshim të madh taktik në kundërshtimin e shtetit të Kosovës në veri: ka hequr dorë nga kundërshtimi i dhunshëm përmes strukturave kriminale dhe në vend të tij ka vendosur taktikat e mosbindjes civile. Kjo e vështirëson edhe më shumë funksionalizimin e ligjit kosovar atje, sepse mosbindja civile do të ndikojë në fuqizimin moral të pozicionit të Beogradit në tryezën e dialogut, ndërsa gjithë presioni ndërkombëtar ka rrezik të përqendrohet në Prishtinën”, ka shkruar Latifi në “Facebook”.