Latifi tregon një histori të padëgjuar për vajzën e Azem Galicës

09 korrik 2024 | 12:37

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka ndarë me miqtë në “Facebook” një histori të rrallë për vajzën e Azem Galicës, udhëheqës i Lëvizjes Kaçake.

Ai ka treguar se si vajza e Azem Galicës ishte rritur në fshehtësi për shkak se regjimi i atëhershëm e kërkonte me ngulm për shkak të aktivitetit të babait të saj.

Postimi i plotë i Latifit:

Më ka mbetur në kujtesë pamja e asaj plake, e cila herë pas here ngjitej rrugës së lagjës time, duke u mbajtur me një shkop. Ngase ishte e martuar me një burrë të afërm me dajtë e mi, e njihte nanën time, prandaj ndonjëherë kthehej tek ne, për t’u çlodhur nga rruga e gjatë që duhej të bënte deri në vendlindjen e saj. Ulej aty pranë çesmës në oborrin tonë, freskohej me ujin e saj dhe pasi nana i sillte një kafe a çaj, fillonin bisedën.

Ende nuk i kishte mbushur të shtatëdhjetat, por kur e shihje ashtu të dobësuar dhe në fytyrën e pushtuar nga rrudhat, të krijohej përshtypja se përballë kishe një plakë që po prekte pragun e një shekulli jetë.

Të këpuste shpirtin me rrobat e saj të vjetra, vende-vende të arnuara. Çdo gjë në pamjen e saj fliste për një jetë të kaluar përmes vuajtjeve të pafundme.

E lindur në malet e Tersenikut, në shtatorin e vitit 1924,  për shumë vite do ta mbanin të fshehtë ekzistencën e saj. Sepse, ende pa lindur, naçallniku i Mitrovicës kishte lëshuar një urdhër për gjetjen e saj. Xhandarët e kërkonin gjithandej. Hafijet e gjurmonin fshehjen e saj.

Po ç’ishte vallë kjo foshnje të cilën hyqymeti e kërkonte me aq ngulm?

Çfarë frike kishin prej saj?

Çfarë kërkonin të arrinin përmes gjetjes së saj.

Askush nuk fliste dhe vetë ajo rritej pa e ditur psenë e fshehjes së saj. U lakmonte shoqeve kur flisnin për baballarët e tyre, ndërsa ajo nuk e dinte se cili ishte babai i saj. I dhimbte shpirti kur e pyesnin për të dhe ajo s’ dinte si t’u përgjigjej. E vuante inferioritetin e çikës jetime, pa e ditur se ishte jetmija ma e famshme e Drenicës.

Kështu kaluan vite dhe kur i mbushi gjashtëmbdhjetë pranvera, një fllad lirie fryu në atdheun e saj. Bashkë me lirinë e atdheut, erdhi edhe liria për të, dalja nga guvat ku e kishin fshehur për të mos e parë syri i keq i atyre që mbi të donin t’i hakmerreshin babait të saj enigmatik. Syri i keq i xhandarëve serbë dhe i hafijeve shqiptarë.

U lind në male dhe ditët e fundit i kaloi në male. Mes flakëve të luftës. Vdiq në agimin e lirisë së Kosovës. Pa lënë pasardhës. Emri i saj: Azemine. Emri i babës: Azem. Mbiemri: Galica.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca dhe Spanja do të përballen në gjysmëfinale të Kampionatit…