Latifi vizitoi punimet në dy projekte infrastrukturore në qytetin e Rahovecit
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi i shoqëruar edhe nga nënkryetari Fatmir Iska, kanë vizituar punimet të cilat janë duke u realizuar në dy projekte infrastrukturore në qytetin e Rahovecit si projekti i rrugës transite dhe shtegu i ecjes që dërgon tek Maja e Shkodranit.
Pas vizitave të bëra në të dy projektet të rëndësishme infrastrukturore, kryetari Latifi ka theksuar se punët në infrastrukturë nuk po ndalen në këtë komunë. “Monitorova punimet që po kryhen në rrugën e transitit mbi qytet si dhe në shtegun e ecjes, projekte këto të rëndësisë së veçantë për qytetarët tanë. Shumë shpejt Rahoveci do të bëhet me një shteg modern e të bukur, ku qasja për në Majën e Shkodranit do të bëhet më e lehtë e njëkohësisht pamja që qytetarët do të shijojnë në këtë ecje do të jetë e mahnitshme”, ka thënë kryetari Latifi.