Latifi viziton fabrikën nga Rahoveci, e cila eksporton produkte në Zvicër
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Ekonomi dhe Zhvillim, Artan Asllani, dhe ai i Drejtorisë për Shërbime Publike, Përparim Krasniqi, kanë vizituar fabrikën për prodhimin e telit, “C&G Materiali” në Drenoc të kësaj komune.
Pas kësaj vizite, Latifi ka bërë me dije se kjo fabrikë eksporton produktet e saj në Zvicër.
“Vëllezërit Gashi nga Drenoci të cilët jetojnë në Zvicër në krye me Nazim Gashin, pronarin e kompanisë, kanë arritur që të investojnë në Kosovë duke hapur këtë fabrikë dhe duke siguruar vende pune për familjet tona. Fabrika eksporton produkte në Zvicër. Është kompania e vetme në Ballkan që eksporton 100 për qind në tregun e Zvicrës, ku edhe është nga kompanitë më cilësore atje. Jemi krenarë me këto investime të mërgatës në Kosovë dhe njëkohësisht, si komunë do të vazhdojmë të punojmë shumë që të krijojmë një mjedis sa më tërheqës ekonomik për investime nga mërgata”, ka thënë Latifi.
/Epoka e re/