Laura Kolturi nderon sërish flamurin kuqezi, tjetër sukses në Kupën e Botës
24 janar 2023
| 23:41
16-vjeçarja italiane e cila përfaqëson Shqipërinë, pas medaljeve të arta që mori në Botërorin U18, po shkëlqen edhe në garat për të rritur në Kupën e Botës.
Sot ajo ka garuar në etapën e Kupës së Botës në Kronplatz të Italisë, duke siguruar një pozicionim shumë të rëndësishëm. Pas dy zbritjeve në sllallomin gjigand, Kolturi e ka mbyllur në vendin e 17-të në renditje, duke treguar se është padyshim një nga emrat e rinj më të spikatur në garat e skive.
Kështu, ajo ka siguruar rezultate të cilat për momentin e renditin në vendin e 29 në klasifikimin e përgjithshëm botëror në këtë disiplinë, duke tërhequr vëmendjen e specialistëve të cirkuiteve të cilët parashikojnë një të ardhme të shkëlqyer për këtë sportiste.