Laurit Krasniqi i bashkohet Kosovës
Një tjetër futbollist që shkëlqen në arenën evropiane ka vendosur t’i bashkohet Kosovës.
Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë të skuadrës së Royal Antwerp, Laurit Krasniqi.
Lajmin e ka konfirmuar Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), përmes një njoftimi në faqen zyrtare.
Krasniqi, të enjten në mbrëmje, ka luajtur për herë të parë në stadiumin “Fadil Vokrrri”, në ndeshjen kundër Dritës në Ligën e Konferencës dhe ishte vendimtar në kualifikimin e skuadrës së tij, duke shënuar golin i cili e ka zhbllokuar rezultatin e ndeshjes.
E shumë shpejt, Lauriti, pritet të paraqitet në këtë stadium edhe në fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe të shndërrohet në idhullin e tifozëve dardanë.
Në fakt, presidenti Agim Ademi është takuar me futbollistin dhe e ka bindur që në nivel kombëtaresh ta përfaqësojë Kosovën. Kreu i FFK-së e ka përgëzuar Lauritin për arritjet e deritashme si dhe ka uruar që ai të ketë të ardhme të ndritur si me klubin e tij e po ashtu edhe në fanellën dardane.
Ndërsa vetë futbollisti është shprehur i lumtur që po i jepet mundësia të japë kontributin e tij për vendin e origjinës dhe se do të bëjë çmos që të vazhdojë të luajë në nivele sa më të larta dhe t’i bëjë krenarë familjen e tij dhe të gjithë tifozët e Kombëtares së Kosovës.