“Lavanderia” e aderimeve partiake në Kosovë
Nga Emin AZEMI
Mania për ta nuhatur pushtetin është e vjetër, aq sa janë të vjetra ambiciet e njerëzve për t’i rrëmbyer trofetë e fitores pa qenë të pranishëm në garë
Kjo puna e aderimeve në Kosovë ka filluar të bëhet shumë zbavitëse. Nëse ju ka marrë malli për ndonjë person që s’e keni parë disa vjet, zjarrmia e ç’malljes do t’ju kaplojë teksa e shihni në krah të liderit partiak. Sa shumë dëshirë keni që edhe ju të jeni aty pranë dhe ta prekni me dorë këtë moment ngazëllues, mirëpo merita për të qenë i përzgjedhur kësaj radhe i takon vetëm atij që ti s’e ke parë me vite. Sa xheloz bëhesh në liderin partiak që “jua ka marrë shokun apo shoqen” dhe për herë të parë në jetë i bie pishman pse s’u bëre edhe ti lider, të paktën për pak ditë.
Në Kosovë gati askush nga lista e facave publike nuk do të mbetet jashtë listës së aderimeve. Pasi të kalojnë zgjedhjet, shumë nga këto faca do të ngelin si guralecë të vetmuar pas vërshimeve nëpër brigjet e lumenjve. Mund ta merrni me mend bregun e lumit plot me guralecë që s’i hyn në punë askujt, përpos ndonjë hallexhiu që kërkon ta arnojë oborrin në pjesët ku çimentoja ia ka lëshuar vendin tokës.
Sigurisht që në këto vërshime aderimesh partiake ka edhe ndonjë përjashtim. Ka ndonjë që vërtet i mungon politikës dhe përfshirja e tij në ndonjë listë deputetësh apo funksione të tjera, i bën mirë shëndetit publik dhe institucional. Fundja, asgjë s’ka të keqe nëse dikush me vetëdëshirë bëhet pjesë e politikave që kërkojnë ndryshime në të ardhmen. Të tillët madje i ke pasur aktivë, në forma të ndryshme, por që nuk kanë qenë të ngjyrosur partiakisht dhe askush nuk do të befasohet nëse i sheh të aderojnë diku.
Por çka të bëhet me një tufë tjetër aderuesish, të cilët bëhen të gjallë vetëm disa javë para ditës së zgjedhjeve. Ata jo vetëm që kanë qenë indiferentë mbi zhvillimet politike, por nuk kanë bërë as veprimin më të vockël që gjërat të ndryshojnë në të mirë. Mirëpo, mania për ta nuhatur pushtetin është e vjetër, aq sa janë të vjetra ambiciet e njerëzve për t’i rrëmbyer trofetë e fitores pa qenë të pranishëm në garë.
Tash së fundmi po i shohim disa faca të njëjta, të cilët aderimet në partinë e re po i bëjnë duke hedhur gurë e dru mbi partinë e vjetër. Pritjet e tyre kanë qenë aq të mëdha nga partia e vjetër saqë tani presin që partia e re do t’ua kompensojë të gjitha dëshpërimet dhe zhgënjimet. Kjo specie e gërditshme që sillet e pështillet si pordha nëpër tirçi, e ka vështirë ta kuptojë se sa të parëndësishëm janë ata në gjithë këtë garë të madhe. Ata e kanë vështirë ta kuptojnë se fama që gëzojnë në lagjen apo katundin e tyre është si një brymë mëngjesi që shkrihet porsa të mbërrijë rrezja e fortë e konkurrencës. Kur i sheh gjithë këto aderime, njeriu e ka vështirë të gëzohet apo të hidhërohet. Nëse dikush gëzohet se po ndodhin plot aderime, atëherë shtrohet pyetja se mbi cilat parime po bëhen këto aderime dhe sa prej të aderuarve i kanë lexuar programet e partive aderuese.
“Lavanderia” e aderimeve partiake në Kosovë nuk ka qenë gjithmonë e ndjekur nga “higjiena” për të vendosur kritere mbi të cilat do të krijoheshin politikat e mirëfillta kadrovike. Kjo, mbase, është arsyeja se pse sot skenën politike të Kosovës e ke kaq të ndotur nga mungesa e etikës së komunikimeve dhe qëndrimeve parimore si në institucione, po ashtu edhe në jetën e përgjithshme publike.