Lavdia e UÇK-së nuk do ta kishte përmasën që e ka, pa nënat tona të pamposhtura
Ish-kryeministri i Kosovës, lideri i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroinën e UÇK-së, nënën Azë Brahimaj dhe nënën e saj Zize Syla të cilat u vranë në Jabllanicë, 23 vite më parë. Haradinaj poashtu ka kujtuar ditën e kobshme të 3 gushtit, ku do të bien në altarin e lirisë, dëshmori Idriz Gucati dhe martirët Ukshin Hamza, Arif e Sejdi Kosumi.
Postimi i Haradinajt:
Lavdia e UÇK-së nuk do ta kishte përmasën që e ka, pa nënat tona të pamposhtura.
Në 23-vjetorin e rënies së heroinës Aze Brahimaj dhe nënës së saj Zize Syla, kujtojmë historinë e gruas shqiptare ndër shekuj, një rrugë e gjatë me shumë vështirësi e sakrifica.
Nëna Azë, që në fillet e organizimit çlirimtar, u bë shtyllë e fuqishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Trimëria, guximi dhe vendosmëria e saj deri në vetëmohim, e bën të veçantë dhe të paharruar në kujtimin e brezave.
Po atë ditë të kobshme të gushtit, do të bien në altarin e lirisë, dëshmori Idriz Gucati dhe martirët Ukshin Hamza, Arif e Sejdi Kosumi.
Për lirinë e vendit, Jabllanica e Dushkajës, ishte në ballë të përpjekjeve. Shqiponja dha më të dashurit e saj, që u flijuan në mbrojtje të atdheut, të vlerave dhe identitetit tonë.
Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!
RH