Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha

09 qershor 2020 | 17:54

Bedri Islami

Në vend të parathënies

Të shkruash një libër për familjen Jashari është ndër gjërat më të vështira. Për disa arsye, më e rëndësishmja nga të cilat është në përmasat e jashtëzakonshme të jetës së saj, në dimensionet që ka marrë ajo. Vetë jeta e tyre, e secilit dhe e të gjithëve së bashku, është më shumë se një vlerë, është bashkësi virtytesh të cilat tashmë janë pjesë e jetës së përditshme të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Ajo që më ka befasuar në njohjet e para me to ishin disa video që u kishin nisur bijve të tyre në mërgim, pjesë nga jeta e tyre e zakonshme, tepër e zakonshme në një ditë, po ashtu të zakonshme, kur në kopshtin me mollë dhe pemë të tjera, ata, si të gjithë njerëzit e vdekshëm, luanin, çanin dru, mblidhnin frutat, qeshnin me njëri-tjetrin, ngacmonin, për të kaluar krejt natyrshëm në një çast tjetër, në dhomën e madhe të miqve, kur përmasat rriteshin në një dimension të pazakontë, bisedat tani bëheshin për gjëra të mëdha, rreth vatrës, duke pasur nënën e tyre në mes dhe shokët e luftës rreth e rreth tyre, njeriu përgatitej se atë që mund të vinte më pas: të mbetnin në mend fjalët e mençura të Hamzës, qëndrimi stoik, i qetë i babait të tyre, Shabanit, përkëdhelia e nënës së tyre duke mbajtur në duart e saj të rreshkura duart e bijve, qetësia deri në mermerizim i Adem Jasharit, afërsia me armët si të ishin gjymtyrë të trupit të tyre, e si për të dashur të ktheheshin përsëri në të përditshmen, vallja me hapa të qetë e të rëndë, sikur i dërgonin mesazh tokës dhe ngulnin këmbë se do të rrinin deri në fund vetëm aty.
Pastaj erdhi në Organizatë, në Lëvizjen Popullore të Kosovës, letra e fundit e tyre, në dhjetorin e vitit 1997, në të cilën si njeri i letrave më ra në sy shqipja e tyre, e shkruar mrekullisht, ku ishte e vështirë të gjeje gabime dhe modestia, ku asnjëherë, në ato gjashtë faqe letra, nuk përmendej askund emri i tyre apo se ata vetë kishin qenë në atë përballje të nëntorit të vitit 1997 që, në fakt, ishte lufta e parë e hapur ndaj makinerisë serbe.
Prej shumë vitesh unë kam shkruar për jetën e tyre. Duke filluar që nga shkrimi i parë, “A vdiq Adem Jashari”, në mesin e marsit 1998, pak ditë pas ngjarjes heroike, i cili, për hir të së vërtetës, ishte shkrimi i parë publicistik për të, por kurrë nuk kam mundur të them si duhet atë që kam ndier në veten time. E kam pasur të vështirë, ndoshta do ta kem edhe në të ardhmen, sepse pakkush mund t’i rrokë, në të gjithë horizontet kah shtrihen, vlerat e përjetshme të saj.
Edhe kjo që po paraqes sot, si pjesë e triptikut “E gjitha në shqip”, është vetëm një sprovë tjetër, një afresë ndaj një dëshire të hershme, e cila, besoj, nuk është vetëm tek unë.
Dhe besoj se, si një sprovë, edhe do të vlerësohet. Sepse nuk është më shumë se kaq.
Për ta shkruar Librin e Jetës së Jasharëve duhet shumë më tepër.
Kurrë nuk më ka munguar dëshira, i jam afruar kësaj teme në të gjitha mundësitë që kam pasur, duke besuar se do të ketë një të ardhme tjetër.
Tashmë disa nga Jasharët janë kthyer në të përjetshëm. Erërat fryjnë butësisht në fillimin e kodrës ku janë vendosur, në secilën pranverë fryn jugu që vjen nga dheu amë dhe pemët gjallërohen përsëri nga gjethet e blerta, lulëzojnë mollët dhe çelin lulet e qershive; atëherë të rënët patjetër kanë për ta rindierë ringjalljen e pranverës.
Të rënët tanë janë tashmë pjesë e truallit të Kosovës: Ky është edhe shkaku pse toka e Kosovës kurrsesi nuk mund të vdesë.
Ashtu si toka që nuk e di se çfarë është të vdesësh, ashtu edhe ata që mësuan se çfarë do të thotë të jesh i lirë pas një robërimi, do të dinë të kapen fort pas rrënjëve që jepen në emër të jetës. Përgjatë luftës njerëzit i mësuan mirë këto gjëra dhe do të kenë kurdoherë një arsye të fuqishme për t’i kujtuar. Të rënët janë prore pjesë e jetës sonë. Ata do të jetojnë po aq gjatë sa do të jetojë edhe toka e Kosovës. Kjo do të thotë përjetësisht.
Të rënët, që ndershmërisht çlodhen në dheun e butë të Kosovës, dhe nuk ka të rënë për liri që të çlodhet më ndershmërisht se nën truallin e saj, ata pa dyshim i përkasin sojit të të pavdekshmëve.
Kjo sprovë është një nderim për to.

***
Tri kulla të vendosura pranë njëra-tjetrës, rrethuar me një mur të ulët, të shfaqen sapo merr kthesën e parë drejt Prekazit të Poshtëm. Përmes një porte të madhe, e cila qëndron thuajse gjithnjë e hapur, hyn në oborrin e brendshëm të shtëpive, shtruar me gurë të bardhë. Mysafirët futen fillimisht në këtë rrethinë, shikojnë me vëmendje gjithçka është rreth e rrotull, si të duan t’i gjejnë gjurmët e gjithë asaj që ka ndodhur, kërkojnë përmes gjurmëve që kanë lënë gurët shenjat e gjakut që është derdhur, pastaj fillimet e vijëzimeve të reja të kalimit të njerëzve nga njëri cep në tjetrin dhe ngjiten ngadalë nëpër shkallët që të çojnë në katin e dytë.
Është e pamundur të ngjitesh nëpër këto shkallë qetësisht si nëpër shkallë të zakonshme ashtu si është e pamundur që të mos mendosh për gjithë atë që ka ngjarë, jo vetëm në ngastrat e tri kullave, por në të gjitha lagjet që përbëjnë Prekazin e Poshtëm. Dashur padashur të ndjekë e gjitha ajo që ka mësuar deri më tani për Jasharët, të duket sikur ndien ende gjëmimet që kanë ndodhur e, megjithatë, je i qetë dhe ndihesh mirë. Qetësinë dhe mirësinë, edhe pas kaq viteve, ta japin ata që ndodhen përballë kullave, në kodrën bri fshatit, të përjetshëm dhe njëkohësisht hijerëndë. Në fund të fundit e di se ndodhesh në një vatër ku të dhurojnë qetësi ku, me gjithë rrëmetet e përgjakshme, asgjë nuk e ka tronditur jetën e përditshme, të zakonshme.
Ka edhe një hyrje tjetër, më të vogël, bri portës së madhe. Një derë e drunjtë të fton të ngjitesh sipër, pa shkuar përmes oborrit të gurtë, drejtpërsëdrejti në dhomën e miqve.
Por ngado që t’i biesh, qoftë nga porta e madhe, apo nga dera e drunjtë, do të ndihesh njëlloj i qetë, i mirëpritur dhe mrekullisht edhe më i mirë. Sepse këto kulla kanë edhe çudinë e fisnikërimit të njerëzve.
Nuk ka qenë gjithnjë kështu. Në mesin e qershorit të vitit 1999, kur isha për herë të parë në Prekazin e Poshtëm, mik tek Jasharët, kullat ishin të shembura dhe të djegura, trentë e kulmeve kishin rënë përmbys mbi vatrën ku ngrohej shpirti, vende-vende të dukej sikur ende tymrat mbulonin çdo gjë që ishte përreth, nëpër oborr kishte ende gëzhoja fishekësh dhe mbetje të plasjeve të bombardimeve, ujët rridhte nëpër ngastrat e vogla dhe çdo gjë ishte e pazakontë.
Atëherë ishte e zakonshme të shkelte këmba mbi copërat e luftës ashtu si ishte ende e zakonshme që nëpër gjumë të të shfaqeshin lemeritë që sapo kishin shkuar. Mirëpo, këto ishin gërmadha jo të çdo lloji, por me një fat të çuditshëm. Po të gërmoje poshtë tyre do të gjeje gjëra të pazakonta, fillimisht nën muranën e gurëve dhe të trarëve do të gjendej automatiku i Ademit pastaj, pas luftës, një ditë fundqershori 1999, në gërmadhat e shtëpive të bombarduara do të gjendej automatiku i Hamzës, diku më tej armë të tjera, ende me tytat e nxira nga lufta.
Edhe kjo nuk kishte qenë pamja e tyre, këtë e kishin bërë vrasësit serbë, me gjithë makinerinë e tyre të furishme, të përgjakshme dhe të llahtarshme. Gjurmët e luftës që ishin krejtësisht të pambuluara, të shfaqeshin befasisht ne çdo cep, disa prej të cilave i sheh edhe sot në kullën e parë muze, por nuk ishte vetëm kjo. Kur po u afrohesha kullave të gurta, rrafshuar deri në themelin e tyre, përmbushur nga bloza dhe tmerri i luftës, përmes rrënojave dhe gurëzimit të gjithkahshëm, kishin filluar të mbinin fijet e barit. Si të kish rilindur jeta.
Në ditët e para, fundqershori 1999, Jasharët kishin zënë vend në një banesë të vogël në fundin e oborrit, ku në një dhomë të madhe, shtruar përkohësisht me qilima, prisnin njerëzit që vinin për t’ua uruar rikthimin.
Me djemtë, Muratin, Lulzimin dhe Bekimin, kishim udhëtuar së bashku nga Gjermania deri në portin e Barit, në Itali. Pastaj, së bashku me Rifat Jasharin, kaluam të parët detin, me një traget të shpejtë, ndërsa djemtë do të vinin të nesërmen. Arritëm disi vonë në Durrës, udhëtuam nëpër muzgun e asaj dite qershori dhe bujtëm te Shaban Sinani. Shabani kishte asaj kohe, nuk e di tani, një banesë të vogël, dydhomëshe. Aty gjetëm edhe Beqir Beqën, mikun tim gazetar. Të zotët e shtëpisë, tepër bujarisht, si edhe hera të tjera, na bënë konak, por më përpara lëvizën të gjitha mundësitë për ta përgatitur pritjen e Jasharëve në portën e Durrësit. Ishte vonë, megjithatë përmes drejtorit të përgjithshëm të RTSh-së, Eduard Mazi, ndër më të merituarit në mbështetjen e UÇK-së, u bë gjithçka gati për ditën e nesërme. Aty u ndava me Rifat Jasharin, unë udhëtova për në Kosovë që në pikun e mëngjesit, së bashku me Beqirin, pasi më duhej të isha në Mbledhjen e Përgjithshme të LPK-së që zhvillohej asaj dite në Prizren.
Të pasnesërmen, së bashku me Hashim Thaçin, në zyrën e vogël asaj kohe të Sami Lushtakut, pritëm ardhjen e Jasharëve pastaj, kur nuk po mund të rrinim më në pritje, morëm rrugën drejt Prizrenit, për t’u rikthyer përsëri në Skenderaj, në një apartament të zakonshëm, ku për një ditë a dy kishin zënë vend Jasharët. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Kuvend kërkesën për interpelancë…