Lavrov konfirmon dëbimin e 60 diplomatëve amerikanë dhe mbylljen e konsullatës së SHBA-së
Moska njoftoi sot dëbimin e 60 diplomatëve amerikanë dhe mbylljen e konsullatës së SHBA-së në Shën Petërsburg, në përgjigje të masave ekuivalente të marra nga Uashingtoni, pas helmimit të një ish-agjenti të dyfishtë rus në Britaninë e Madhe.
“Thirrur sot në mbrëmje në Ministrinë ruse të Punëve të Jashtme, ambasadori i SHBA-së në Rusi, Jon Huntsman u informua për përmbajtjen e këtyre masave kundër SHBA-së”, deklaroi kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.
“Këto masa përfshijnë dëbimin e të njëjtit numër diplomatësh dhe tërheqjen e akreditimit të konsullatës së përgjithshme në Shën Petërsburg, në veriperëndim të Rusisë”, njoftoi ai në një konferencë shtypi, transmeton KP.
Këto masa janë si kundërpërgjigje për dëbimin nga SHBA-ja të 60 diplomatëve rusë dhe mbylljen e konsullatës ruse në Seattle në kuadër të masave të ndërmarra pas helmimit më 4 mars të ish-agjentit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Julia në tokën britanike.
“Nga 60 diplomatë amerikanë të dëbuar nga Rusia, 58 janë punonjës të ambasadës së SHBA-së në Moskë dhe dy të konsullatës së përgjithshme të SHBA-së në Ekaterinburg (Ural)”, theksoi Ministria e Punëve të Jashtme në një komunikatë.