Lavrov: Putin i gatshëm të takojë Presidentin Trump
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Presidenti Vladimir Putin është i gatshëm të pranojë ftesën e Presidentit amerikan Donald Trump për t’u takuar në Uashington.
Në një interviste me agjencinë shtetërore të lajmeve RIA Novosti, zoti Lavrov tha se presidenti rus është “gati për një takim të tillë”.
“Ne udhëhiqemi nga fakti që presidenti amerikan në një bisedë telefonike, që tashmë është një fakt i njohur dhe nuk përbën sekret, bëri një ftesë të tillë dhe tha se do të ishte i lumtur të shihte zotin Putin në Shtëpinë e Bardhë”, tha zoti Lavrov.
Ministri i Jashtëm rus shtoi se zoti Trump disa herë iu kthye temës lidhur me ftesën gjatë telefonatës me zotin Putin dhe i tha atij se do të ishte i lumtur t’i kthente vizitën në Rusi.
Më parë dy presidentët patën rënë dakord për një takim të mundshëm në Uashington.
Më 20 mars presidenti Trump i telefonoi presidentit Putin për ta përgëzuar për fitoren në zgjedhjet presidenciale ruse.
Në njoftimet lidhur me bisedën, Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini thanë se dy presidentët diskutuan mundësinë e një takimi mes tyre.