Lavrov: Sulmi kimik është kryer nga agjentë të huaj
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se sulmi i raportuar kimik në Siri është kryer nga agjentë të huaj.
Në një konferencë të shkurtër për media, ai tha se ka “prova të pakundërshtueshme” se sulmi u organizua si pjesë e një “fushate rusofobike” e udhëhequr nga një vend, të cilin nuk e përmendi me emër.
Shtetet e Bashkuara dhe Franca thonë se kanë prova se sulmi kimik ka ndodhur dhe, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, janë duke shqyrtuar hakmarrjen ushtarake.
Rusia, e cila ka forca ushtarake në Siri, në mbështetje të qeverisë atje, paralajmëroi se sulmet ajrore të Perëndimit rrezikojnë të nisin luftën midis dy palëve.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se Lindja e Mesme “është në kaos”.
Ai u bëri thirrje vendeve të veprojnë me përgjegjësi në “këto situata të rrezikshme”.