Lavrovi për avionët ‘F-16’: Perëndimi po luan me zjarr
Kryediplomati rus, ka paralajmëruar shtetet perëndimore se “po luajnë me zjarr”, pasi janë pajtuar që t’i japin Ukrainës avionë luftarakë të prodhimit amerikan, “F-16”.
Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, ka thënë se ky vendim “është një përshkallëzim i papranueshëm” i konfliktit, teksa shteti i tij po vazhdon pushtimin e Ukrainës.
“Pa dyshim, ata po lujanë me zjarr”, ka thënë Lavrovi gjatë një interviste për një televizion rus, e cila është publikuar në rrjetet sociale.
Ai ka thënë se ky vendim i Uashingtonit, Londrës dhe “satelitëve të tyre në Bashkimin Evropian” synon “të dobësojë Rusinë”.
Së fundmi, Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që të mundësohet trajnimi i pilotëve ukrainas për avionët “F-16”. Megjithatë, Uashingtoni nuk ka treguar nëse do të dërgojë në Ukrainë këso lloje avionësh.
Ndërsa shtetet e tjera, përfshirë ato të NATO-s, kanë ofruar që të trajnojnë pilotët ukrainas që të përdorin “F-16”.
Ukraina që në nisje të pushtimit nga Rusia në shkurtin e vitit të kaluar, ka kërkuar nga aleatët që t’i dërgojë avionë të sofistikuar.
Me këtë vendim, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka bërë një kthesë, pasi për më shumë se një vit ka refuzuar të miratojë dërgimin e avionëve apo trajnimin e pilotëve nga frika se diçka e tillë mund të përshkallëzojë tensionet me Rusinë.
Pas vendimit për lejimin e trajnimit të pilotëve ukrainas, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se trajnimi nuk nënkupton që aleanca ushtarake është pjesë e konfliktit.