Lavrovi provokon amerikanët: Ata s’do të luftonin për Ukrainën

28 prill 2021 | 13:45

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) nuk do të luftojnë për Ukrainën në Donbas.

Sipas tij, ata që e mendojnë të kundërtën nuk kanë vlerë.

“Është e pakuptimtë që të llogarisësh në asistencën ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Kjo gjithmonë ka qenë e njohur për të gjithë. Nëse ndokush ka ndonjë iluzion se një ndihmë e tillë do të vinte, atëherë këshilltarët e tillë janë të pavlefshëm në cilëndo qeveri, përfshirë qeverinë e Zelenskyt”, ka thënë kryediplomati rus.

Lavrovi ka thënë se përgjegjësia kryesore për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës lindore është e Perëndimit, sepse, sipas tij, Perëndimi ka ndikim të vërtetë te udhëheqësia ukrainase dhe mund ta bindë atë që të marrë hapa të nevojshëm për ta zbatuar marrëveshjen e Minskut.

Më tutje, Lavrovi ka thënë se liderët e Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës kanë punuar në marrëveshjen e Minskut për më shumë se 17 orë radhazi dhe se të gjithë hapat dhe rrjedha e tyre janë të vërtetuar tërësisht dhe se përpjekjet për ta ndryshuar rendin ose vetë hapat nuk do të çojë askund.

Ministri i Jashtëm i Rusisë ka thënë se vendi i tij është duke përgatitur një listë të shteteve jomiqësore, të cilën do ta publikojë së shpejti dhe kohë pas kohe do ta plotësojë, shkruan “Anadolu”.

Ai e ka akuzuar Britaninë e Madhe se po luan rol serioz në minimin e marrëdhënieve të Rusisë me shtetet tjera evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
UNESCO i ka dhënë çmimin vjetor të lirisë së shtypit…