Lavrovi: Rusia e vendosur në shkatërrimin e ushtrisë së Ukrainës
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka thënë se Moska është e gatshme për bisedime për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë, por do të vazhdojë të bëjë presion për të shkatërruar infrastrukturën ushtarake të Ukrainës.
Lavrovi ka thënë se delegacioni rus ia ka paraqitur kërkesat e tij negociatorëve ukrainas në fillim të kësaj jave dhe tani është duke pritur për përgjigjen e Kievit në bisedimet e vendosura për të enjten.
Lavrovi ka thënë se Perëndimi e ka armatosur vazhdimisht Ukrainën, ka trajnuar trupat e saj dhe ka ndërtuar baza atje për ta kthyer Ukrainën në një mburojë kundër Rusisë.
Ai ka thënë se kjo e ka bërë Ukrainën një kërcënim për sigurinë e Rusisë, duke e detyruar atë të veprojë.
ShBA-ja dhe aleatët e saj kanë këmbëngulur se NATO është një aleancë mbrojtëse që nuk përbën kërcënim për Rusinë.
Lavrovi e ka kundërshtuar me forcë këtë, duke thënë se Perëndimi e ka kthyer Ukrainën në një “urë për të minuar gjithçka që është ruse”.