Lavrovi: Rusia mbështet një zgjidhje për të cilën pajtohen Prishtina dhe Beogradi
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka thënë se Rusia do të pranojë çdo zgjidhje për Kosovën që është e pranueshme për Beogradin dhe Prishtinën.
Ai i ka bërë këto komente gjatë një konferencë për medie me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë në Moskë, në cilësinë e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Lavrovi ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks të veçantë atë për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, për moszbatimin e së cilës i fajësoi autoritetet e Prishtinës.
“Ka një sërë marrëveshjesh të arritura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Krijimi i Asociacionit do të ishte një hap më përpara për të siguruar respektimin e të drejtave të serbëve në Kosovë. Marrëveshja është arritur së paku gjashtë vjet më parë. Prishtina refuzon të respektojë detyrimet”, ka thënë Lavrovi, raporton “Rel”.
Shefi i diplomacisë ruse u shpreh kritik edhe ndaj Bashkimit Evropian, që si ndërmjetësues i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka arritur të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vënë theksin tek qëndrimet e kundërta që kanë Shqipëria dhe Rusia për çështjen e Kosovës.
Ai ka thënë se procesi i dialogut duhet të riniset dhe se kur bëhet fjalë për marrëveshjet e arritura deri më tani, palët në vazhdimësi e kanë fajësuar njëra tjetrën për moszbatimin e tyre.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur në vitin 2011. Por, bisedimet u ndërprenë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.