Lavrovi: Rusia do të dëbojë numrin e njëjtë të diplomatëve sikurse Perëndimi
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka njoftuar se Moska do të dëbojë numrin e njëjtë të diplomatëve nga kombet që kanë larguar nga shtetet e tyre diplomatë rusë, pas helmimit të ish-spiunit rus në Britani.
Duke cituar mediet ruse, Lavrov ka thënë se ambasadorit amerikan në Rusi, Jon Huntsman i është bërë thirrje nga ministria e Jashtme me ç’rast është njoftuar se Rusia do të përgjigjet me të njëjtën mënyrë ndaj vendimit të SHBA-së për të dëbuar 60 diplomatë rusë.
Lavrovi ka thënë se Rusia do të mbyllë konsullatën amerikane në Shën Petersburg, në përgjigje të vendimit amerikan për të mbyllur konsullatën ruse në Sietëll.
Lavrov ka thënë se Rusia do të marrë hapa të ngjashëm edhe me kombet e tjera që kanë dëbuar diplomatë rusë gjatë kësaj jave.
Më shumë se 150 diplomatë rusë janë dëbuar nga Britania, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja, dhe disa shtete të Bashkimit Evropian por edhe ato që gjenden jashtë bllokut, pas helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Britani të Madhe më 4 mars. (Rel)