Lazio ofron dy shqiptarë për Kumbullën
Marash Kumbulla është një nga emrat më të kërkuar këtë verë teksa Lazio nuk dëshiron ta lejojë largimin e tij nga Serie A. Mbrojtësi shkodran ndiqet nga shumë klube të mëdha si Juventusi, Interi, Napoli, Manchester Unitedi dhe Chelsea. Skuadra e Lazios dhe drejtori i tyre sportiv, shqiptari Igli Tare nuk duan të lejojnë transferimin e Kumbullës diku tjetër, por vetëm në “Olimpico”.
Sipas gazetës italiane “Corriere dello Sport”, ky cilësohet si një mision i pamundur për shkak të kostos dhe konkurrencës së fortë, por merkato ofron çudira dhe surpriza. Tare e di vlerën e 20-vjeçarit, por është i gatshëm për të marrë rreziqe për të pasi synon të ndërtojë një mbrojtje shumë të fortë për sezonin e ardhshëm.
Presidenti i Veronës, Setti kërkon 35 milionë euro, por mund të heqë dorë prej Kumbullës edhe me përfshirjen e ndonjë futbollisti në tratativa. Drejtori sportiv i Lazios, Tare është i gatshëm të bëjë një shkëmbim shqiptarësh pasi ka dy emra në listë për t’i ofruar në këmbim.
I pari është mbrojtësi i krahut të majtë, Riza Durmishi, i kthyer nga huazimi te Nice, ndërsa i dyti është ylli i Kosovës, Valon Berisha, i cili në verë do të kthehet nga përvoja në Fortuna Dusseldorf. Të dy lojtarët shqiptarët vlerësohen rreth 7 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 28 milionë eurosh duhet të paguhet me para.
Kujtojmë që pak ditë më parë u përfol për një akord me Juventusin për futbollistin shqiptar, por për ta vërtetuar duhet pritur hapja e merkatos. Në anën tjetër edhe Interi që nga janari po tenton me të gjitha mënyrat që të bind Veronën për ta lënë të lirë Kumbullën. Do të jetë vetë futbollisti i talentuar që do të zgjedhë destinacionin e tij të radhës, që me shumë mundësi do të jetë sërish në Itali.