Lazio triumfon kundër Crotones (Video)
Lazio reagoi pas humbjes me Juventusin, mposhti 3-2 Crotonen në “Olimpico” dhe vazhdon të garojë fort për një biletë Champions League. 3-2 fituan djemtë e Simone Inzaghit, teksa tre pikët erdhën falë golit të Felipe Caicedos pesë minuta përpara fundit të takimit.
Sergej Milinkovic Saviq zhbllokoi takimin pas çerek ore lojë. Mesfushori mori një kros nga Radu dhe goditi saktë drejt portës kundërshtare. Miqtë reaguan dhe rikthyen baraspeshën me anë të Simy (29’). Goditje me të jashtmen e sulmuesit nigerian dhe topi në rrjetë.
Bardhekaltrit reaguan dhe u rikthyen sërish në avantazh dhjetë minuta më vone. Luis Alberto kombinoi bukur me Immobilen dhe gjeti rrjetën e Crotones falë një goditje të bukur. Kaq për pjesën e parë, ndërsa baraspesha u vendos sërish në kryeqytet në minutën e 50-të. Crotone fitoi një penallti dhe Simy gjeti golin e dytë personal përballë Pepe Reinas.
Inzaghi hodhi në fushë dyshen Muriqi-Caicedo në minutën e 76-të dhe ky i fundit realizoi golin e fitores gjashtë minuta nga fundi. Goditje potente e sulmuesit ekuadorian, topi në rrjetë dhe tre pikë shumë të rëndësishme për Lazion, që renditet në vend të shtatë me 46 pikë, katër pikë larg zonës Champions.