LB-ja kritikon pozitën dhe opozitën për qasjen ndaj dialogut me Serbinë
Lëvizja për Bashkim (LB) e cila drejtohet nga Valon Murati, ka vlerësuar se partitë politike në Kosovë janë në defensivë sa i përket procesit dialogut me Serbinë.
“Në shtetin tonë mungon mentaliteti shtetëror. Një prej problemeve të mëdha sa i përket bisedimeve Kosovë-Serbi është qasja totalisht defensive e subjekteve politike, pozitë e opozitë, në Kuvendin e Kosovës, ndaj bisedimeve e ndaj Serbisë. Kjo qasje reflektohet në shprehjet si: pasoja nga bisedimet, kushte për Serbinë, kompromise të domosdoshme, vija të kuqe ndaj Serbisë etj. Pra, krejt energjia e tyre orientohet në atë se si të mbrohemi prej Serbisë. Mentaliteti ynë nuk guxon të jetë mentalitet i tillë disfatist. Mentaliteti ynë duhet të jetë mentalitet fitimtari”, është thënë në reagimin e LB-së.
Sipas LB-së, energjia e Kosovës do të duhej të orientohej në atë se si të fitojmë në raport me Serbinë, e jo si të mbrohemi prej saj.
“Lëvizja për Bashkim me kohë e ka përjashtuar këtë qasje ndaj problemit shqiptaro-serb. Duke qenë se Serbia është në proces të integrimeve evropiane dhe ky proces është i lidhur me normalizimin e raporteve me Kosovën, me pak kreativitet ne kemi mundur e mundemi që situatën ta kthejmë në favorin tonë. Ne, që në fillim është dashur të pozicionohemi më mirë, duke u sjellë si shtet. Në vend se të flasim vetëm për temën e serbëve në Kosovë, për të cilën interesohet Serbia, do të duhej të insistonim që të flisnim edhe për temën e shqiptarëve në Kosovën Lindore, si interes i Kosovës, si shtet. Atëherë do të krijonim balancë në tema dhe problemet do të zgjidheshin duke u bazuar në parimin e reciprocitetit”, është thënë në reagimin e LB-së.
/Epoka e re/