LB-ja: Lista Serbe po luan me Kosovën
Lëvizja për Bashkim (LB) ka reaguar rreth vendimit të ministrit të Bujqësisë nga radhët e Listës Serbe, Nenad Rikalo, për suspendimin e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), Elhami Hajdari.
LB-ja përmes një reagimi për medie, ka theksuar se që nga fillimi i këtij mandati qeverisës ka qenë e qartë se Lista Serbe do t’i shfrytëzojë e do t’i keqpërdorë jo vetëm të gjitha privilegjet e padrejta të Kushtetutës, por edhe raportin e forcave politike në këtë mandat.
“Me rastin e njohur Gjuriq, Lista serbe publikisht është tërhequr nga qeveria. Në anën tjetër, ajo vazhdon punën në qeveri. Kur është fjala për punë e vendime ajo bojkoton, ndërsa kur është fjala për paga e privilegje të pushtetit, ajo i shfrytëzon! Rishtazi, ministri i bujqësisë nga Lista serbe, Nenad Rikalo, ani pse në dorëheqje, e ka suspenduar kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), Elhami Hajdari. Përveç kësaj, dje ministri i administrimit të pushtetit lokal, Ivan Todosijeviq, takoi zyrtarisht anëtarët e ekipit menaxhues për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke iu ofruar mbështetje nga ana e ministrisë nga e cila ka dhënë dorëheqje”, është thënë në reagimin e LB-së.
Sipas kësaj partie, është e qartë se kur është puna për institucionet dhe zhvillimin e Kosovës, Lista Serbe bojkoton në favor të Serbisë, ndërsa kur është puna për paga e privilegje, ajo i shfrytëzon ato, e që është në dëm të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës vazhdon t’i mbyllë sytë! E zënë ngushtë me numrat në Kuvend dhe me zgjidhjet e padrejta në Vjenë e Bruksel, ajo ka zgjedhur të mos veprojë edhe kur dëmtohet rëndë Kosova! Kosova nuk guxon të mbetet edhe më tutje peng i një grushti njerëzish që deklarojnë e veprojnë kundër saj! Lëvizja për Bashkim kërkon nga lryeministri Haradinaj që të marrë hapa konkretë në lidhje me këtë gjendje, qoftë me ristrukturim të qeverisë apo edhe me zgjedhje të reja! Kjo situatë nuk guxon të vazhdojë më kështu”, është thënë në reagimin e LB-së.
/Epoka e re/