LB-ja me kritika për qeverinë dhe opozitën për dialogun Kosovë – Serbi

12 tetor 2022 | 15:22

Lëvizja për Bashkim (LB) përmes një komunikatë për medie ka reaguar në lidhje me ecurinë e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas kësaj partie, e cila drejtohet nga Valon Murati, ky dialog nuk ka prodhuar zgjidhje për asnjë prej problemeve kryesore të Kosovës në raport me Serbinë.

Në këtë drejtim LB-ja ka kritikuar edhe kryeministrin aktual, Albin Kurti, që sipas saj, sa ishte në opozitë ishte një nga kritikuesit më të mëdhenj të këtij dialogu dhe të rezultateve të tij.

“Dialogu Kosovë-Serbi, i filluar para më shumë se një dekade, nuk ka prodhuar zgjidhje për asnjë prej problemeve kryesore të Kosovës në raport me Serbinë. Në vend të zgjidhjes së problemit, ai prodhoi vetëm një status quo të brishtë. Kryeministri i sotëm i Kosovës, Albin Kurti, sa ishte në opozitë, ishte një nga kritikuesit më të mëdhenj të këtij dialogu dhe të rezultateve të tij. Ai pati premtuar se sapo të vijë në pushtet do t’i rishqyrtojë të gjitha marrëveshjet, madje edhe duke i dërguar ato në Komisionin e Venecias. Ai, kryeministri Kurti, jo vetëm që nuk e bëri këtë, por, për më keq, e vazhdoi konceptin e njëjtë si qeveritë pararendëse. Duke e trajtuar dialogun si teknik, ai po detyrohet të bëjë marrëveshje të reja në frymën e vjetër, si dhe t’i jetësojë një nga një ato marrëveshje të vjetra, ‘tradhtare’, siç i quante ai dikur. Marrëveshje të cilat do ta degradojnë edhe më shumë sovranitetin e brishtë të Kosovës”, thuhet në komunikatën e LB-së.

LB-ja ka vlerësuar se edhe opozita e sotme, pushtetarët e djeshëm (PDK, LDK e AAK), kanë qëndrim të njëjtë me Albin Kurtin e qeverinë e tij sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

“Dhe kjo është ana më e keqe e krejt kësaj çështjeje”, theksohet në komunikatën e LB-së për të vazhduar tutje se: “Kohëve të fundit edhe nga ndërmjetësuesit e dialogut është duke u shqyrtuar mundësia e ridizajnimit të tij, pikërisht për shkak të mungesës së rezultateve dhe të shterpësisë së këtij lloji të dialogut. Sërish edhe pozita, edhe opozita në Kosovë do të gjenden të papërgatitura për këtë ridizajnim, pikërisht për shkak se u mungojnë idetë, e, çka është edhe më keq, u mungon edhe vullneti. Sepse si pozita, ashtu edhe opozita çështjen e dialogut Kosovë-Serbi gjithmonë e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin vetëm si një frikë elektorale dhe si një detyrim ndërkombëtar. Prandaj nuk i qasen me seriozitetin e nevojshëm e të domosdoshëm kësaj çështjeje me rëndësi jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.

Sipas LB-së, është dashur ta dimë që në fillim, por duhet ta dimë sidomos tani, se dialogu i cili zhvillohet vetëm për serbët e Kosovës dhe të drejtat (privilegjet) e tyre, do të prodhojë vetëm kompromise e marrëveshje të pakuptimta, që nuk zgjidhin gjë.

“Derisa ne e heshtim dhe nuk e shtrojmë drejt për zgjidhje edhe çështjen e Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanovc e Medvegjë), dialogu vetëm do të na sjellë vështirësi dhe nuk do të prodhojë asgjë të mirë.
Prandaj, ridizajnimi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të bëhet mbi bazën e të drejtave të njëjta si për serbët e veriut të Kosovës, ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës Lindore. Madje pa e përjashtuar edhe ripërcaktimin e kufijve Kosovë-Serbi mbi po këtë parim. Rrugët e tjera na lënë këtu ku jemi – në status quo aspak të favorshme për ne”, është thënë në komunikatën e LB-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar ndaj vlerësimeve…