LB-ja mirëpret gatishmërinë e BE-së për mbështetje të vetingut
Lëvizja për Bashkim(LB) ka mirëpritur gatishmërinë e BE-së për mbështetje të procesit të vetingut për institucionet që janë përgjegjëse për zbatimin e drejtësisë në Kosovë.
Përmes një komunikate për medie, LB-ja e ka vlerësuar si të domosdoshëm mbikëqyrjen e këtij procesi nga përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. “Lëvizja për Bashkim, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen institucionet kompetente për zbatimin e drejtësisë; duke qenë e vetëdijshme për tendencën e korruptimit të procesit nga faktorë politik; duke e konsideruar këtë proces si shumë të vështirë për shkak të rrjetit kriminal të krijuar në këto institucione, e konsideron të domosdoshëm mbikëqyrjen e këtij procesi nga përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. Me këtë rast, ne e mirëpresim gatishmërinë e Komisionit Evropian për të ndihmuar në këtë çështje kruciale për zhvillimin e vendit.”, është thënë në komunikatë, duk shtuar se ky proces është i domosdoshëm dhe urgjent. “Lëvizja për Bashkim, duke qenë e shqetësuar thellë me gjendjen e rëndë në sistemin e drejtësisë, është e bindur që një proces i mirëfilltë i verifikimit të zyrtarëve që punojnë në institucionet kyçe të drejtësisë është i domosdoshëm dhe urgjent. Prandaj, së bashku edhe me subjektet e tjera, shoqërinë civile dhe qytetarët e vendit, nuk do t’i ndalë përpjekjet për hapjen e rrugës për këtë proces”, është thënë në komunikatën e LB-së.
Sipas zëdhënëses së Frederica Mogherinit, përfaqësueses për politikë të jashtme të BE-së, nëse kërkohet nga institucionet e vendit, Komisioni Evropian është i gatshëm ta mbështetë procesin e vetingut për institucionet që janë përgjegjëse për zbatimin e drejtësisë në Kosovë.