LB-ja: Punësime militantësh në Telekom
Lëvizja për Bashkim (LB) ka reaguar në lidhje me gjendjen në ndërmarrjet publike, veçanërisht për Telekomin e Kosovës.
LB-ja ka vlerësuar se që nga shpallja e pavarësisë, sidomos që nga intensifikimi i privatizimit, ndërmarrjet publike kanë shkuar keq e më keq.
“Veçanërisht në gjendje të rëndë gjendet Telekomi i Kosovës, i cili është buzë falimentimit. Qeveria e tanishme, si edhe qeveritë e mëparshme, qasjen ndaj këtij operatori të rëndësishëm ekonomik të Kosovës e ka krejtësisht të gabuar. Ajo Telekomin e sheh dhe e trajton vetëm si ndërmarrje që i shërben krijimit të klientelës politike e në dëm të afarizmit ekonomik. Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe punësimi i mbi 100 militantëve partiakë, në kohën kur vet qeveria po thotë se kjo ndërmarrje edhe ashtu është stërngarkuar me punëtorë dhe në kohën kur qeveria flet për ulje të pagave në këtë ndërmarrje”, është thënë në reagimin e LB-së.
Sipas LB-së, në gjendje të njëjtë janë edhe KEK-u, Trepça, Posta dhe Trainkos-i.
“Në të gjitha ndërmarrjet publike qasja ka qenë e njëjtë. Që nga përzgjedhja e bordeve me militantë partiakë e pa kriter profesional e deri te punësimet kryekëput familjare e partiake. Pa kurrfarë dyshimi, kjo qasje do të çojë drejt shkatërrimit të plotë të ndërmarrjeve publike dhe pasojat ekonomike e sociale për vendin do të jenë shumë të mëdha. Ky vend, me këtë mentalitet të partive politike, nuk ka të ardhme! Ky vend ka nevojë për ndryshime të thella”, është thënë në reagimin e Lëvizjes për Bashkim.
/Epoka e re/