LB-ja: Qeveria duhet t’i përgjigjet platformës së re të Serbisë
Lëvizja për Bashkim (LB) ka kundërshtuar platformën e Serbisë “për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës”, të cilën e kanë paralajmëruar që një kohë faktorët nacional-shovinistë në Serbi.
Përmes një komunikate për medie, ky subjekt politik, ka vlerësuar se kjo platformë është iluzore dhe jashtë kohës e zhvillimit real të ngjarjeve.
“Serbia duhet ta kuptojë një herë e mirë faktin se Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe kjo gjë është e panegociueshme dhe e pakthyeshme! Vërtet pas luftës, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kanë mbetur probleme të pazgjidhura në mes të dyja vendeve dhe burrështetasit e të dyja vendeve, nëse ua duan të mirën qytetarëve të vet, do të duhej realisht të përpiqen t’i zgjidhin ato. Dhe këto probleme janë: Presheva, Bujanoci e Medvegja, në njërën anë, dhe Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku, në anën tjetër”, është thënë në komunikatën e LB-së.
Ky subjekt politik ka ftuar qeverinë e Kosovës që t’i përgjigjet kësaj platforme. “Këto nuk duhet neglizhuar dhe këtu vërtet duhet zgjidhje largpamëse e kreative. Të tjerat janë ëndrra të vjetra që vetëm sa zgjojnë tensione të reja. Të gjitha problemet e tjera, duke përfshirë edhe ndarjen artificiale të Mitrovicës, janë probleme të brendshme të Kosovës dhe nuk ka bisedime për to! Platforma më e re e Serbisë për Kosovën është ndërhyrje flagrante në çështjet e brendshme të një shteti sovran dhe Qeveria e Kosovës duhet t’i përgjigjet menjëherë!”, është thënë në komunikatë.