LB-ja: Qeveria ka hartuar një shkresë e jo një platformë
Qeveria e Kosovës të enjten ka miratuar platformën shtetërore për finalizimin e dialogut të Kosovës me Serbinë.
Kjo platformë sipas qeverisë siguron proces transparent dhe gjithëpërfshirës dhe synon të jetë qëndrim unik i institucioneve tona ndaj këtij procesi.
Është bërë me dije se platforma në fjalë do të procedohet për diskutim dhe aprovim në Kuvendin e Kosovës dhe njëkohësisht do të informohet edhe Presidenti i Republikës së Kosovës.
Ndaj kësaj platforme ka reaguar Lëvizja për Bashkim (LB).
Sipas LB-së, Qeveria e Kosovës edhe në këtë mandat do të vazhdojë bisedimet me Serbinë pa platformë politike për zgjidhjen e problemeve që Kosovës i kanë mbetur pas shpalljes së pavarësisë.
“Ajo që sot prezantoi Qeveria e Kosovës dhe të cilën dëshiron ta quaj platformë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, as nuk i ngjanë një platforme! Për më keq, edhe në këtë shkresë, si edhe në fazat e mëhershme të dialogut, ka vazhduar qasja e vjetër ndaj këtij dialogu: Kosova me Serbinë bisedon vetëm për çështjen e serbëve në Kosovë dhe në përputhje me kompromiset ndaj tyre kërkon favore në integrimet ndërkombëtare! Kjo qasje e ka dëmtuar dhe do të vazhdojë ta dëmtojë Kosovën. Problemet jo vetëm që nuk do të zgjidhen, por do të komplikohen edhe më shumë”, është thënë në reagimin e LB-së.
Sipas kësaj partie, injorimi i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, mbyllja e syve para ndarjes së Mitrovicës dhe spastrimit etnik e kolonizimit të saj, bllokada institucionale me anë të fuqisë juridike të serbëve në Kuvendin e Kosovës, ndarja etnike përmes decentralizimit, asociacioni i komunave me shumicë serbe etj., do të jenë burim aktiv i problemeve dhe jofunksionalitetit të shtetit të Kosovës.
“Lëvizja për Bashkim edhe një herë e thërret të gjithë spektrin politik shqiptar për një angazhim serioz e të sinqertë, në punën për hartimin e një platforme për zgjidhjen e problemeve që Kosovën po e mbajnë të gozhduar në shumë aspekte”, është thënë në reagimin e LB-së.
/Epoka e re/