LB-ja: “Trepça”, aset i injoruar, i keqpërdorur dhe i keqmenaxhuar
Lëvizja për Bashkim (LB) ka vlerësuar se “Trepça” përbën potencial që të bëhet vërtet njëra prej shtyllave të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Sipas kësaj partie, përkundër kësaj, ky gjigant vazhdimisht është keqpërdorur e keqmenaxhuar nga të gjitha qeveritë e deritashme.
“Ky aset i madh vazhdon të mbetet në agoni të thellë edhe si pasojë e injorimit të tij nga institucionet e vendit, duke mos e miratuar për një kohë të gjatë ligjin për të, në njërën anë; dhe, si pasojë e abuzimit me të nga partitë politike, përmes emërimit të një bordi krejtësisht joprofesional, i cili përfaqëson interesa të ngushta grupore e partiake, në anën tjetër. Kjo sjellje është krejtësisht e papranueshme! Është iluzion të presim zhvillim ekonomik të vendit nga cilado qeveri që këtë potencial e trajton në mënyrë të tillë”, është thënë në komunikatën e LB-së.
Lëvizja për Bashkim e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që ta trajtojë me seriozitetin më të madh çështjen e “Trepçës” në përgjithësi, dhe të kërkesave të minatorëve grevistë, në veçanti.
/Epoka e re/