LB-ja: “Trepça”, peng i shantazheve të Listës Serbe
Lëvizja për Bashkim (LB) përmes një reagimi ka theksuar se me shqetësim është duke i përcjell ngjarjet rreth ndërmarrjes “Trepça”.
Sipas LB-së, fatkeqësisht është duke vazhduar situata e moszbatimit të Ligjit për “Trepçën”, e cila në radhë të parë po reflektohet në mosthemelimin e Bordit Mbikëqyrës të ndërmarrjes “Trepça”, e rrjedhimisht edhe me mosthemelimin e Sh.A. “Trepça”.
“Kjo situatë po e dëmton ekonomikisht dhe financiarisht ‘Trepçën’, po e bën qeverisjen e saj të vështirë, po bën që kompetencat në mes të dikastereve të ndryshme qeveritare dhe AKP-së të ngatërrohen dhe, rrjedhimisht, është duke e bërë jofunksional kreun e saj menaxherial. Dorëheqja e djeshme e drejtorit të ‘Trepçës’ është edhe një alarm për këtë situatë tejet të rëndë”, është thënë ne reagimin e LB-së.
LB-ja ka vlerësuar se nëse Qeveria e kaluar e ka pasur klimën shumë më të përshtatshme për të bërë hapa konkretë drejt jetësimit të Ligjit për “Trepçën” dhe nuk e ka bërë, Qeveria e tanishme është edhe më e pafuqishme.
“Ndër të tjera, ajo është e kurthuar këmbë e krye edhe nga Lista Serbe. Një prej arsyeve kryesore pse kohëve të fundit po zvarritet themelimi i Bordit mbikëqyrës të Trepçës janë shantazhet e Listës Serbe ndaj qeverisë aktuale, e cila po e shfrytëzon raportin politik të forcave, për t’i çuar përpara interesat e veta dhe të Beogradit, në mënyrë që Kosovën ta bëjë shtet sa më jofunksional”, është thënë në reagimin e LB-së.