LB-ja: Viti i parë i qeverisjes, vendime klienteliste dhe papërgjegjësi politike

13 shtator 2018 | 10:14

Lëvizja për Bashkim ka vlerësuar njëvjetorin e formimit të Qeverisë duke analizuar vendimet e saj.

“Bilanci njëvjeçar i kësaj qeverie, sigurisht se është i mbushur me shumë vendime dhe veprime. Dy prej tyre, vendimi për rritjen e pagave të qeveritarëve dhe këshilltarëve të tyre, dhe vendimi për emërimin e rreth 100 zëvendësministrave, janë ndër vendimet më skandaloze”.

“Në fakt, këto dy vendime tregojnë thelbin dhe mentalitetin e kësaj qeverie. Të dyja këto, në vetvete, janë pjesë e mentaliteti klientelist me elemente korrupsioni, sepse, me para të buxhetit të Republikës së Kosovës blihen shërbime të njerëzve për nevoja partiake. Duke qenë dy vendime të papërgjegjshme, arrogante e klienteliste, ato paraqesin edhe frymëzim për korrupsionin në të gjitha njësitë e tjera buxhetore”, është theksuar në komunikatën e LB-së.

Sipas LB-së: “logjika e papërgjegjësisë së kësaj qeverie dëshmohet edhe përmes qasjes krejtësisht joracionale ndaj skandalit të veteranëve të rrejshëm, krijimit të pasqaruar ndonjëherë të obligimit ndaj kompanisë Bechtel-Enka, prej rreth 53 milion eurosh, si dhe shumë vendimeve ad-hoc të cilat kanë implikime të paplanifikuara financiare për buxhetin e shtetit”.

“Sa i përket aspektit politik, sidomos kur është në pyetje dialogu me Serbinë, kjo qeveri ka dëshmuar mungesë totale të gatishmërisë për ushtrimin e kompetencës. Ajo, në momentet vendimtare për të ardhmen e vendit ka zgjedhur të shmanget nga përgjegjësitë e veta politike, me arsyetime të vetë Kryeministrit, se nuk ka kohë për negociata sepse është i zënë me obligime të tjera shtetërore”, thuhet në komunikatën e LB-së.

Lëvizja për Bashkim konsideron se vendi ynë nuk është në pozicion të tillë që të mund të përballojë sjellje të tilla të papërgjegjshme nga ana e qeverisë aktuale.

“Ne vlerësojmë se dialogu me Serbinë është procesi më i rëndësishëm për Kosovën, për qeverinë dhe të gjitha institucionet e vendit. Duke pasur parasysh situatën vendimtare politike, vlerësojmë se vendit i duhet urgjentisht një qeveri uniteti, e cila do të merrte përsipër obligimet e veta kushtetuese ndaj qytetarëve të saj; do të përgatiste një platformë konsensuale për bisedimet me Serbinë dhe do t’i udhëhiqte ato; do të realizonte reformën zgjedhore dhe do ta përgatiste vendin për zgjedhjet e reja parlamentare”, theksohet në komunikatën e LB-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess…