LDK-ja dhe LV-ja të gatshme për rrëzimin e qeverisë, hedhin dyshime të PSD-ja

24 korrik 2018 | 22:38

Partia Socialdemokrate dje ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike që të inicojnë mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

Deputeti i kësaj partie, Dardan Sejdiu ka thënë se PSD do t’i japë 12 nënshkrime dhe 12 vota.

“E ftojmë LDK dhe LVV që ta inicojnë mocionin për rrëzimin e qeverisë dhe ne do t’i japim 12 nënshkrime dhe 12 vota, ose të na i japin nënshkrimet dhe ne e inicojmë. E ftojmë LDK edhe LVV ta na thërrasin në tryezë opozitare për strategji e taktikë për rrëzimin e qeverisë ose të na japin neve autorizimin dhe ne e thërrasim”, ka bërë thirrje Sejdiu përmes një postimi në “Facebook”.

Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar shumë e gatshme pasi kjo e fundit vazhdimisht kërkon zgjedhje të parakohshme.

Besa Gaxherri e LDK-së, ka thënë për lajmi.net se kjo parti kërkon sa më shpejtë të shkojnë në zgjedhje dhe ta gjej modalitetin i cili ndërtohet dhe është më i fuqishmi, e që sipas saj është mocioni.

“Ne kemi qenë shumë korrekt me opinionin që mocioni nuk mund të parashtrohet pa i bërë 61 vota. Në kuadër të saj numrat që janë në opozitë nuk e përbëjnë këtë numër prej 61 votave, prandaj ne jemi duke punuar çdo ditë në atë drejtim që vërtetë të kemi një numër të mjaftueshëm për ta rrëzuar qeverinë. Në atë moment që mendojmë që do t’i kemi 61 vota ne do ta parashtrojmë mocionin, kjo nuk do koment do të ishte shumë më lehtë që përmes mocionit të kryet kjo çështje sesa përmes formave të tjera që jemi duke i përdorur tashmë”, është shprehur Gaxherri.

Mirëpo edhe pse ftesa ka ardhur nga PSD, Gaxherri ka dhënë dyshime se kjo parti i ka të gjitha votat.

“Votat e LDK-së dhe të Vetëvendosjes janë, të PSD-së duhet t’i shikojmë e të bisedojmë prapë, por edhe me këto tri subjekte nuk janë të mjaftueshme. Konsiderojë se duhet të punojnë edhe dy subjektet e tjera politike opozitare në atë drejtim dhe në atë moment që të arrihet numri i kërkuar kryhet ky proces. Qeveria aktuale nuk i ka 61 vota për të vepruar, ne të gjithë jemi dëshmitar se asnjë seancë nuk mund ta përfundojnë sepse nuk kanë kuorum”.

Sipas saj, LDK ka vendosur dhe ka marrë qëndrim se deri në atë moment që mund t’i bëjë 61 vota për mocion, nuk do t’i bëjë kuorumin kësaj qeverie.

“Do të marrim pjesë në seancës, do të diskutojmë, por nuk do të votojmë asnjë gjë. Ky është qëndrim politik pikërisht për t’i treguar se nuk mund të funksionojë as kjo qeveri e as ky kuvend me numrat që i kanë”, ka përfunduar deputetja e LDK-së.

Ndërkohë, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje i ka thënë lajmi.net se PSD nuk po i bashkohet opozitës dhe po e bën ‘patericën’ në Kuvendin e Kosovës

“Ka kohë që së bashku me Grupin Parlamentar të LDK-së, jemi duke u koordinuar për mosvotim në Kuvend, për të dëshmuar se kjo qeveri është qeveri e pakicës. Por fatkeqësisht një grup tjetër opozitar pra PSD, nuk po i bashkohet nismës tonë dhe po e bën patericën në Kuvendin e Kosovës, duke ia mundësuar kështu kuorumin për secilën çështje qeverise aktuale. Pikërisht këta kërkojnë që ne t’i autorizojmë për nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve. Ky është naivitet politik”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se puna më e vogël është mbledhja e nënshkrimeve të opozitës dhe kjo është e padiskutueshme.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka të gatshme nënshkrimet, po ashtu me sa kam kuptuar edhe LDK. Çështja është që gjithë opozita duhet të bashkohet për bërjen e numrave sepse na duhen 61 deputetë që e mbështesin, pra përveç opozitës, na duhen edhe të paktën 4 deputetë tjerë. Gjuajtja gurë mbi opozitën siç po bën PSD dhe në anën tjetër mbështetja dhe bashkëpunimi me koalicionin janë shenja të qarta që këta janë në gjendje të mbajnë gjatë këtë koalicion”, ka deklaruar deputetja e VV-së.

Haxhiu ka shtuar se nuk mund ta dërgojnë mocionin në seancë pa u siguruar që i kanë 61 deputetë që e mbështesin.

“Në të kundërtën me këtë qasje PSD po do ta legjitimoje qeverinë aktuale. Deri tek rrëzimi i qeverise së pakicës, duhet të përdorim metoda të kombinuara. Andaj e ftoj PSD ta ndërpresë bashkëpunimin me koalicionin dhe e ftoj të mos i bëhet patericë kësaj qeverie të skandaleve dhe të ndaloj shpifjet dhe akuzat në drejtim të opozitës”, ka thënë Haxhiu.

Së fundi Kuvendi i Kosovës ka dështuar të votojë një mori projektligjesh për shkak të numrave të vogël që i ka koalicioni qeverisës dhe refuzimit të opozitës për të votuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja Demi Lovato është dërguar me emergjencë në një spital…