LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma mirëpresin vendimin e Kushtetueses, LV-ja e quan skandaloz
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj në Qeverisë në Kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se kur një Qeveri nuk i mbijeton një mocioni mosbesimi në Kuvend dhe nëse partia fituese e zgjedhjeve dështon të mandatojë një kandidatë për kryeministër, atëherë kjo e drejtë i kalon një partie tjetër.
“Në të gjitha rastet kur dorëheqja e kryeministrit apo mbetja e postit përkatës i lirë për arsye tjera, ka rezultuar në rënien e qeverisë edhe kur dorëheqja e qeverisë është rezultat i një mocioni të suksesshëm mosbesimi, me kushtin që pas këtij mocioni nuk ka pasuar shpërndarja e kuvendit sipas parimeve të sqaruara më lart, aktivizohet paragrafi 5 i nenit 95 të Kushtetutës, i cili detyron presidentin për të mandatuar kandidatin e ri për kryeministër”.
“Partia politike ose koalicioni i cili e ka të drejtën e parë të propozimit të mandatarit për kryeministër dhe formimit të qeverisë është sërish partia politike ose koalicioni fitues. Për formimin e kësaj qeverie duhet të ndiqet procedura e përcaktuar përmes paragrafit 2 dhe 3 të nenit 95 të Kushtetutës, ndërsa, dështimi i marrjes së votave të nevojshme në kuvend apo refuzimi i këtij mandati, kalon të drejtën e formimit të qeverisë te një parti politike ose koalicion që mund të ketë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, u shpreh se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionon.
“Vendimi i Gjykatë nuk i destinohet një partie dhe një grupi, por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen. I takon qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK-ja që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Vendim skandaloz e ka quajtur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Gjykata Kushtetuese i dha grusht vullnetit të popullit”, ka thënë Haxhiu përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, e cila aktualisht është ministre në detyrë e Drejtësisë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se Kosova sa më shpejtë duhet ta formojë ekzekutivin e ri.
“Përshëndes aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hap rrugë formimit të Qeverisë së re. Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë. Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Edhe lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka bërë thirrje që të respektohet ky aktgjykim. “Nisma Socialdemokrate mirëpret Aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese dhe fton të gjitha partitë politike të vazhdojnë traditën e krijuar deri më sot në respektimin e Aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Aktgjykimi sotëm i dha fund dilemave nëse shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës ka të drejtë të zgjedhë një qeveri të re pas mocionit të suksesshëm për rrëzimin e një qeverie. Aktgjykimi sotëm i Gjykatës Kushtetuese qartëson rrugët kushtetuese që duhet ndjekur për formimin e institucioneve, si dhe do të kontribuojë në evitimin e ngërçeve institucionale në të ardhmen”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Gjithashtu edhe AKR-ja ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
(Mal Qorraj / Epoka e re)