LDK-ja akuzon Qeverinë për deklarata të rreme në opinion: Faktet para propagandës
Partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka drejtuar akuza ndaj Qeverisë së Kosovës për propagandë ndaj opinionit.
Përmes një postimi në rrjetin social nga LDK-ja i kanë quajtur të pavërteta deklaratat e Qeverisë së Kosovës se investimet kapitale të Kosovës në vitin 2023 janë nga më të lartat.
“Investimet kapitale në historinë e Kosovës, nuk kanë qenë më të lartat në historinë e Kosovës, siç po propagandon Qeveria me deklarata të pavërteta. Investimet kapitale përgjatë tre viteve të kaluara janë në nivelin më ulët historik. Sepse në mesatare, gjatë tre viteve, të dhënat tregojnë se vetëm 11% e buxhetit të shtetit janë investime qendore. Gjatë pandemisë, në mbyllje totale e krizë botërore, investimet ishin 10%, ngjashëm sikurse në këto tre vite të kësaj Qeverie, përqindja është e njëjtë. Për krahasim, në vitin 2023 investimet qendrore ishin 348 milionë euro, njëjtë siç ishin në vitin 2017 kur buxheti ishte 1.8 miliardë euro, e jo me 2.8 miliardë sa ishte në vitin 2023”, shkruhet në postimin e kësaj partie.
Tutje në postim thuhet se merita nuk mund të marr një Qeveri që llogaritë investimet e komunave, si të vetat.
“Propagandën e tyre e kundërshtojmë me fakte e të dhëna zyrtare që hedhin poshtë këto manipulime. LDK do të vazhdojë t’i publikojë këto fakte në një cikël të postimeve”, shkruhet ndër të tjera në statusin e faqes së LDK-së në “Facebook”.